Pro-rusët rrëzojnë edhe 2 avionë ukrainas

23/07/2014 00:00

Rebelët pro-rusë kanë rrëzuar edhe dy avionë luftarakë ukrainas gjatë së mërkurës, jo shumë larg vendit ku u rrëzua edhe avioni malajzian javën e kaluar, në Lindje të Ukrainës, duke shkaktuar 298 viktima.

Një zëdhënës për operacionet ushtarake të Ukrainës tha se avionët janë rrëzuar pranë Savur Mogila, një grumbull varresh në rajonin e Shaktersky-t, ku një memorial përkujton edhe pritat e ushtrisë sovjetike ndaj nazistëve pushtues gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai tha se ende nuk kishte informacione mbi pilotët.

Igor Strelkov, i cili është tashmë në krye të rebelëve në qytetin lindor të Donjeckut, tha se separatistët kanë ulur një avion dhe se piloti është nxjerrë jashtë tij, por nuk ka detaje të mëtejshme.

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar pranë dy qendrave kryesore të rebelëve në Doneck dhe në Luhansk, ku ata po zmbrapsen dita-ditës nga forcat qeveritare, të cilët kanë marrë kontrollin e fshatrave dhe periferive të qyteteve.

Më herët, gjatë së martës, Kievi tha se separatistët po tërhiqeshin nga pozicionet e tyre në periferitë e Donjeckut, si dhe po mbylleshin gjithnjë e më shumë brenda qendrës së qytetit.

Rezidentët thonë se rebelët, të cilët nisën kryengritjen në Prill duke kërkuar pavarësinë nga Kievi të rajoneve rusisht-folëse në Lindje të vendit, kanë gërmuar trashe nëntokësore në qendrën e qytetit, jashtë universitetit, dhe po jetojnë nëpër konviktet e studentëve.

“Në Donjeck, rebelët janë tërhequr masivisht nga pozicionet e tyre dhe janë drejtuar për nga qendra e qytetit”, tha lideri i asaj që Kievi e konsideron “operacion antiterrorist”, në një deklaratë të tij.

“Nuk mund të përjashtohet që shfaqja e lëvizjeve të tilla mund të sugjerojë përhapjen e panikut dhe përpjekjet për t’u larguar nga fushëbeteja”.

Top Channel