Një ditë pas deklaratës së kryeminstrit për të ndëshkuar çdo mjek, që përshkruan receta klienteliste dhe me adresa të përcaktuara të farmacive, ku pacienti duhet të drejtohet për të blerë barnat, ka pasuar menjëherë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ka denoncuar mjekë me inicialet përkatëse në Qendrën Shëndetësore nr 4, pranë Dispanserisë së Tiranës, dhe në Qendrën Shëndetësore nr 1 në Shkozë.

“Kemi një mjek me emrin E. N. që punon te Poliklinika Nr.4. Në 55% të recetave të lëshuara ka lëshuar vetëm alternativën më të shtrenjtë. Dhe na rezulton që sasia e të gjitha recetave që lëshon ky mjek, në 94% të rasteve përfundojnë vetëm te farmacia NEK. Mjeku B. T. në Shkozë, gjithë recetat e tij përfundojnë te farmacia GENI & LORI, 80%, edhe pse Shkoza ka 10 farmaci. Fillimisht po ju tregojmë që duhet të filloni ju vetë të vetëpastroheni dhe të vetërregulloheni. Informacioni është aty, nuk mund t’i shmanget më askush”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Duke folur para mjekëve të shërbimit parësor, ministri i Shëndetësisë bëri me dije rezultatin për analizën e detajuar për abuzimin me recetat e lëshuara, për barnat e rimbursuara vetëm në Tiranë, por monitorimi po kryhet për të gjithë zinxhirin mjek-farmacist edhe në rrethe të tjera, ku fenomeni është edhe më i përhapur.

Nuk do të lejohet askush të abuzojë, duke dhënë mbidozë të medikamenteve, orientim drejt barnave të shtrenjta dhe farmacinë ku duhet blerë bari, theksoi ministri i Shëndetësisë.

Ndërkohë, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci, bëri me dije kallëzimet penale për 6 raste, ku pjesë e abuzimit në një rast është bërë dhe pacienti.

“Dy mjekë, njëri i Bathores dhe tjetri i Paskuqanit, në bashkëpunim me dy pacientët e tyre, janë dërguar në Prokurori me kallëzimin për falsifikim dhe shpërdorim, dy të parët, ndërsa pacientët vetëm për falsifikim. Mjekët dhe pacientët, në mënyrë abuzive, merrnin dy preparate të shtrenjta, të regjistruara në dy zona apo fshatra të Tiranës, duke ndarë lekët njëri me tjetrin, dhe duke i hequr të drejtën e trajtimit një pacienti tjetër. Te kallëzimi në Prokurori për shpërdorim detyre të një drejtori në ISKSH, të një drejtori spitali, të një depoje farmaceutike dhe të një mjeku nga Ballshi. Këto janë 6 rastet që nga Fondi janë kallëzuar në Prokurori dhe ndaj të cilëve verdikti do të jepet nga Prokuroria”, deklaroi Astrit Beci.

Në të shumtën e rasteve, bari në recetën e mjekut ndryshohet edhe nga vet farmacisti, duke ndryshuar barkodet, shkelje kjo e denoncuar në këtë analizë, që detyron pacientin të blejë një bar më të shtrenjtë.

Top Channel