Komisioni i reformës kalon pr/ligjin

23/07/2014 00:00

Komisioni i reformës territoriale miratoi projektligjin e dalë nga qeveria një ditë më parë të ndarjes së vendit në 61 bashki, me 9 vota pro dhe 1 kundër të deputetit të PBDNj-së, që ka dalë nga listat e kandidatëve të PS-së, Andrea Marto.

Sipas tij, për disa fshatra në jug të vendit nuk u respektua kriteri i komisionit për mos ndryshimin e kufijve të komunave ekzistuese. “Kjo e solli tërë këtë ngatërresë dhe njollos reformën kaq jetike për vendin”, deklaroi Marto.

“Nuk mendoj se diskutimi i para disa ditëve për tre fshatra i prish bukurinë kësaj reforme që e kemi hartuar prej kohësh”, replikoi kryetari i komisionit, Bashkim Fino.

Ndërsa kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u shpreh se, “këto janë minoritete që bëjnë pjesë tek popullësia dhe nuk duhen veçuar”.

Megjithëse debati i reformës territoriale, ashtu si ditët e fundit, edhe në këtë mbledhje më së shumti u përqëndrua vetëm në ndarjen e disa fshatrave në jug. Propozimi i Shpëtim Idrizit për një reformë edhe me PD, risolli apelin e kryetarit socialist Fino:

“Kemi kontratën e hapur për të diskutuar kërkesat e PD dhe ka kohë deri të enjten tjetër nëse ajo është e interesuar të vijë e të bashkëbisedojmë”, tha Fino.

Qeveria miratoi një ditë më parë hartën e ndarjes të propozuar nga komisioni, vetëm me pak ndryshime, ëerkatësisht Manza i bashkohet Durrësit, Lunxhëria dhe Odria Gjirokatrës dhe Vagalati Livadhjasë.

Në rast se demokratët nuk ndryshojnë qëndrimin për reformën territoriale, kjo ishte mbledhja e fundit e komisionit, ndërsa të enjten që vjen ndarja e re do të miratohet në seancë.

Top Channel