Biletat, qytetarët: Janë shumë shtrenjtë

23/07/2014 00:00

Qytetarët ankohen se çmimet e biletave për transportin ajror janë të larta, ndërsa shërbimi mbetet problematik.

“Shumë shtrenjtë. Kam ardhur nga Londra me 500 paund. Me 500 paund shkon në Amerikë”, thotë një prej tyre.

“Ka momente që çmimet i reklamojnë ndryshe, por kur shkon të paguash çmimi del dyfish. Janë shumë më shtrenjtë, ndërkohë që shërbimi është skandaloz”, shprehet një tjetër.

Por autoritetet thonë se sipas llogarive të tyre, çmimet janë ulur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. “Aktualisht me shifra dhe vlera tarifat në tregun ajror kanë rënë nga 20 në 30 për qind krahasuar me vitet e kaluara. Kjo rezulton nga statistikat”, deklaron Feliks Baci, drejtor i Aviacionit Civil.

Sipas kreut të Aviacionit Civil, ky është rezultat i një sërë masash që janë ndërmarrë muajt e fundit, ku më kryesorja është liberalizimi i tregut.

“Ne kemi liberalizuar fluturimet, si për shembull itinerari nga Frankfurti në Tiranë bëhet me një linjë fluturimi të një vendi të tretë, siç është Sllovenia. Rënia e çmimeve nuk mund të ndodhë në një ditë. Politika është që ne t’i përshtatemi tregut me norma dhe rregulla, pa e shqyer tregun. Të mos lejojmë që sot të hyjnë operatorë me tarifa të ulëta, nesër të falimentojnë dhe të lënë qytetarin në aeroport”, thotë Baci.

Një ditë më parë, agjencitë e udhëtimeve shprehën shqetësimin se Shqiperia është vendi me çmimet më të shtrenjta në rajon për transportin ajror, duke i detyruar ato që grupet e turistëve t’i orientojnë drejt aeroporteve të vendeve fqinje.

Top Channel