Viktimat e avionit mbërrijnë në Holandë

23/07/2014 00:00

Dy avionë me trupat e viktimave të avionit MH17 kanë mbërritur në Holandë, ku është shpallur një ditë zije kombëtare në nder të 298 viktimave.

Ekspertët që ndodhen atje do të nisin punën për identifikimin e të ndjerëve, shumica e të cilëve janë holandezë.

Dy avionët ushtarakë, njëri holandez dhe tjetri australian, që mbanin 40 arkivolët e parë, u ulën në bazën ajrore Eindhoven, ku u pritën nga anëtarë të familjes mbretërore holandeze, kryeministri Mark Rutte dhe qindra të afërm të viktimave.

Kishat në të gjithë Holandën u ranë këmbanave të tyre për pesë minuta para se avionët të uleshin dhe flamujt e të gjitha kombeve të prekura nga kjo tragjedi kanë qenë të mbajtura në gjysmështizë.

Në një ceremoni solemne, arkivolët u ngarkuan në makinat mortore, të cilat më pas u nisën në radhë, të shoqëruara nga patrulla policore në motorë.

Trupat po dërgohen në një institut të mjekësisë ligjore në jug të qytetit Hilversum për identifikim. Kryeministri Rutte deklaroi se procesi mund të zgjasë me muaj.

Më herët arkivolët ishin ngarkuar nga garda ushtarake në avionët e posaçëm në aeroportin Kharkiv, në lindje të Ukrainës. Ambasadorë, zyrtarë dhe ushtarakë ishin mbledhur për të ndjekur procesin.

I dërguari i qeverisë australiane, Angus Houston deklaroi se, “qëllimi i ceremonisë ishte që viktimave t’u jepej respekti dhe dinjiteti i merituar, pas një tragjedie me përmasa të papërshkrueshme”.

Aktualisht rebelët pro-rusë akuzohen se kanë qëlluar avionin e Malaysia Airlines më 17 korrik. Agjencitë amerikane dhe britanike të inteligjencës kanë folur më herët për prova dhe fakte që tregojnë se rebelët qëllimisht dëmtuan provat në vendin e ngjarjes, duke lëvizur trupat e pajetë dhe duke vendosur atje pjesë të avionëve të tjerë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel