Rrëzohet dekreti i Nishanit për FA

23/07/2014 00:00

Mazhorancës iu dëshen fare pak minuta për të rrëzuar dekretin e presidentit, i cili ktheu një ligj për Forcat e Armatosura, me argumentin se me heqjen e disa kompetencave të presidentit dhe me dhënien e tyre kryeministrit, ligji shkelte disa nene të Kushtetutës.

Një qëndrim ky të cilin socialistët nuk e pranojnë. “Nuk është cënuar asnjë dispozitë apo kompetencë kushtetuese e presidentit në parashikimet e ligjit që ne kemi miratuar. Prandaj ju ftoj ta rrëzojmë dekretin e presidentit”, deklaroi deputeti Pirro Lutaj.

Ndërkohë, mazhoranca duket se i ka rigjetur balancat mes vetes, sepse qeveria ka rënë dakord të pranojë kërkesën e deputetëve të LSI-së për të mos shkrirë Gardën e Republikës, por vetëm për t’i ndryshuar emrin.

Kryetari i komisionit të sigurisë, Spartak Braho, pa dhënë detaje, pohon gjithashtu se përmirësime i janë bërë edhe kapitullit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku kishte kundërshtime.

Njëri nga ata që kundërshtuan më fortë ishte vetë zoti Braho, por tani toni i tij është krejt ndryshe. “Ju i keni dhënë njëçikë peshë ndonjë të bërtiture që bëj unë në komision, por gjërat zgjidhen. Të bërtiturat janë për mirë”, u shpreh Braho.

Top Channel