Doktoratë në filozifi nga qelia

23/07/2014 00:00

“I mbyllur në burg, por i hapur ndaj botës”. Kështu e nisin shkrimin mediat italiane për një 42-vjeçar nga Durrësi, i quajtur Alban Bardhi. Ai po vuan dënimin në burgun 302 për llogari të drejtësisë italiane.

Por veç dënimit, ai e ka shfrytëzuar këtë kohë për t’u arsimuar, duke marrë doktoraturën online, me skype, nën udhëheqjen e profesorit italian Fabio Pierangeli.

Bardhi, i arrestuar në vitin 2002 për trafik droge, i nisi studimet për Letërsi-Filozofi në Universitetin Tor Vergata të Romës, nëpërmjet një projekti italian që përfshinte edhe të dënuar në burgun e sigurisë së lartë të Rebibias.

“Provimet nuk jepeshin online, por me profesorët. Na lajmëronin dy javë më parë për datën, ndërsa materialet vinin më përpara. Dëshira ime është që këtë titull ta ndjek, artin në përgjithësi”, thotë Bardhi.

E ndërsa kishte dorëzuar punimin shkencor për doktoraturë, Bardhi ekstradohet në Shqipëri, çka ka vënë në lëvizje autoritetet e të dyja vendeve që të mundësohej prezantimin online i temës me të cilën ai mori vlerësimin maksimal.

Por për çfarë është penduar më shumë Alban Bardhi, i cili i ka hyrë një rruge të re, asaj të filozofisë, edhe pse përpara ligjeve ai është një ish-trafikant droge që duhet të vuajë edhe disa vite të tjera burg?

“Jam penduar për kohën që kam humbur larg njerëzve të mi, edhe pse atë që kam bërë e kam bërë për ata. Për të tjera nuk pendohem, sepse i kam bërë me koshiencë të plotë”, shprehet Bardhi.

Në një kohë që ky 42-vjeçar ka thyer rutinën e zakonshme të një burgu, cilat janë planet e tij tanimë që ai ka në xhep një titull shkencor, pavarësisht se ndodhet në qeli?

“Nuk e di. Nuk e di ç’prespektivë do të më japë Shqipëria”, thotë ai.

Top Channel