Shaqiri “flirton” me Juventusin

23/07/2014 00:00

Xherdan Shaqiri nuk bën pjesë në planet e trajnerit Guardiola për sezonin e ardhshëm dhe ofertat që kanë mbërritur në dyert e Bajernit të Mynihut kanë nisur të bëhen gjithnjë e më serioze.

Liverpuli, Monako dhe Juventusi janë tre skuadrat që kërkojnë të kenë shërbimet e futbollistit me origjinë shqiptare. Anglezët kërkojnë një zëvendësues për të plotësuar boshllëkun e lënë nga largimi i Suarezit drejt Barcelonës, ndërsa francezët një emër dhe numër për të zëvendësuar James Rodriguez që u largua tek Reali i Madridit.

Ndërsa bardhezinjtë kërkojnë të sigurojnë një trekuartist “të mirëfilltë” për trajnerin Allegri, duke qenë se në grupin aktual mungon një i tillë.

Ai që ka nxehur më shumë merkaton është vetë Shaqiri.

“Jam me pushime dhe nuk e di ende se çfarë do të ndodhë me të ardhmen time. Di vetëm që kam kontratë me Bayernin deri në 2016-ën. Nuk e di nëse ka kontakte me bardhezinjtë dhe po kështu nuk jam i informuar për Liverpoolin apo Monacon. Gjithsesi Juventusi do të ishte një opsion i mirë, ashtu si Monaco ose Liverpooli. Juve është një klub i madh. Kujt nuk do t’i pëlqente të shkonte atje?! Bardhezinjtë nuk i shikoj si hap prapa për karrierën time”, deklaron ai.

E në fakt mediat italiane dhe ato gjermane shkruajnë se Marotta është në kontakt të vazhdueshëm me agjentët e lojtarit duke duke e ditur shkallën e vështirësisë që ka operacioni me dy klube në garë që kanë arkëtuar miliona nga shitjet e Suarez dhe James Rodriguez.

Top Channel