Mou: Në Spanjë e Itali s’ka rivalitet

23/07/2014 00:00

Nga Anglia Jose Mourinho nuk ngurron të komentojë dy kampionatet e fundit ku ka drejtuar, atë italian dhe atë spanjoll ndaj të cilëve ka hedhur kritika të forta.

Ai thotë se arsyeja kryesore që e bëri të rikthehej në krye të Chelsea-t në Premier League është se në kampionatin spanjoll dhe atë italian mungon konkurenca.

“Arsyeja pse më pëlqen Premier League?! Kampionati anglez është një kompeticion fantastik ku rivaliteti mes skuadrave nuk mungon në asnjë moment. Unë kam qenë pjesë edhe e Realit të Madridit dhe Interit që janë dy klube të mëdha, por që nuk luajnë në kampionate aq të fortë sa Premier League. Nëse në Spanjë është i sigurt fakti se Barcelona dhe Reali do të luftojnë për titullin dhe e kanë të sigurt një vend në Uefa Champions League, në Angli nuk ndodh një gjë e tillë. Madje në sezonin e ri nuk dihet se kush ekip do të përfundojë në Europa League, ndërmjet Chelsea-it, dy Manchesterave, Liverpoolit dhe Arsenalit. Pra me pak fjalë këtu në Angli rivaliteti është aq i madh saqë nuk mund të bësh asnjë parashikim se cila skuadër do ta fitojë titullin”, thotë Mou.

Tekniku portugez thumboi federatën spanjolle të futbollit, që sipas tij, e ka kthyer La Ligan në një kampionat pa rivalitet, ku gjithmonë triumfon një mes Realit dhe Barcelonës, madje as fitorja e titullit nga Atletico nuk e ka ndryshuar mendimin që ka 51-vjecari për kampionatin spanjoll.

“Kur unë fitova në Spanjë, ekipi im arriti kuotën e 100 pikëve. Kampionati në atë kohë u zgjidh në ndeshjet mes Realit dhe Barcelonës dhe ndoshta edhe në disa sfida të tjera. Shënuam plot 126 gola dhe për mendimin tim kjo shifër e madhe është disi e ekzagjeruar. Unë mendoj se La Liga nuk është një kampionat për mua”, deklaroi ai.

Top Channel