Ligji i ri për Policinë e Shtetit

23/07/2014 00:00

Edhe në mbledhjen e radhës të Komisionit të Ligjeve, ku është diskutuar projekt/ligji për Policinë e Shtetit, deputeti socialist Tom Doshi, ka lëshuar kritika të forta ndaj uniformave blu dhe ministrit të Brendshëm Tahiri.

“Duke iu referuar vrasjes së biznesmenit Santo, përgjegjësia e kujt është që policia nuk arriti të ngrinte postblloqe deri në Fushë Krujë? Përgjegjësia e kujt është që policia nuk ka radio, s’ka makina, nuk ka benzinë? Si mund të mburret ministri dhe të thotë kam bërë namin? Ndërhyrja në Lazarat duhet të bëhej, por nuk është meritë e Ministrit të Brendshëm, por është sukses i atyre policëve që shkuan dhe sakrifikuan atje. Gjithmonë unë flas në mbrojtje të policisë. Ka pasur raste kur i kam dhënë lekë policëve për benzinë, pasi kishin mbetur në rrugë”, u shpreh deputeti socialist Tom Doshi.  

“Policia ka përgjegjësinë e saj. Çështja konkrete është nën hetim. Efektivët që ndodheshin në vendngjarje po heton edhe nga strukturat e policisë, nëse kanë vepruar sipas rregullores në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Gjatë hetimit do të dalë edhe se si do të duhej të veprohej. Unë e kam thënë edhe më parë që ne kemi probleme me kompletimin logjistik. Përgjegjësia nuk është vetëm e policisë sepse ajo ka detyrë parandaluese, nuk lind aty kriminaliteti”, tha Bilbil Mema, drejtori i Drejtorisë së Studimeve Strategjike.

Doshi po ashtu ka kritikuar dhe rastet e bllokimeve të automjeteve dhe arrestimit të drejtuesve të tyre, të cilat sipas tij, vijnë për kapriço të drejtuesve të policisë.

Top Channel