Efekti domino i bankave bullgare

24/07/2014 00:00

Problemet e shfaqura nga bankat në Bullgari e Portugali kanë nisur të fanisin sërish fantazmën e krizës së euros në Europë. Hija e falimentimit ka rënë mbi portugezen “Banco Espritio Santo”, ndërsa në shtetin europiano-lindor flitet për një skandal të ri bankar.

Shpëtimi i bankës “Corp-Bank” do ta zhyste qeverinë bullgare në një borxh prej rreth 1 miliard eurosh në tregjet financiare. Ekspertët mendojnë se raste të tilla do të ketë edhe në të ardhmen. Probleme të kësaj natyre nuk mund të shmangen dhe, kur një shtet si Bullgaria, vendi më i varfër i Bashkimit Europian, merr huà të përmasave të tilla, efekti mbi ekonominë vendase do të ishte i madh.

Në disa raste, mjaftojnë vetëm thashethemet se një bankë nuk ka likuiditet, që ajo të hyjë në krizë. Njerëzit vërshojnë të tërheqin kursimet e tyre dhe mund të ndodhë vërtet, që banka në këtë mënyrë të gjendet përballë rrezikut të falimentimit.

Nga ana tjetër, ekziston edhe rreziku që institucionet financiare të infektojnë njëra-tjetrën. Kur një bankë ka probleme, humbet besimi edhe te të tjerat. Në vështirësi, bankat mund t’i zhysë edhe kredidhënia te njëra-tjetra.

Për shkak të gjendjes aktuale, qeveria bullgare ka vendosur t’i bashkangjitet unionit bankar. Me këtë, ministrat e Financave të BE-së duan të gjejnë një model, se si të ndihmohen bankat në krizë. Çështja kryesore është se kush do të jetë përgjegjës për pagesën, me qëllim që të mos jetë taksapaguesi, ai që paguan i pari.

Në mekanizmin që po ngre unioni bankar parashikohet një fond, në të cilin të gjitha bankat duhet të japin një kontribut, gjithsej 55 miliardë euro. Para se të vihet në jetë unioni bankar, 128 bankat europiane më të mëdha do t’i nënshtrohen një testi provë, për të parë bilancet e tyre.

Sipas ekspertëve, në këtë mënyrë sigurohet që problemet financiare të së kaluarës dhe pikat e dobëta të bilanceve janë zgjidhur, para se të fillojë nga puna në Nëntor institucioni i Mbikqyrjes Bankare të BE-së.

Top Channel