Reforma e pensioneve, opozita kundër

24/07/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kundërshtuar reformën e pensioneve, të hartuar nga qeveria. “Gjysma e shqiptarëve do të privohen tërësisht nga marrja e çdo pensioni nga kjo skemë”, deklaroi Basha.

I pranishëm në një takim me grupet e interesit, Basha i ka cilësuar mashtrime të gjitha nismat e ndërmarra nga qeveria lidhur me reformën në pensione, duke e përkeqësuar situatën.

“Kanë mashtruar gjatë fushatës, kanë mashtruar pasi kanë ardhur në pushtet duke thënë se këta do të jenë qeveri e zemrës së dhimbsur, se problemet do t’i zgjidhnin bashkë me grupet shoqërore. Faktet flasin vetë për mungesën e përgjegjshmërisë në raport me personat me aftësi të kufizuara, në raport me shtresat në nevojë, nënat, romët, etj. Kemi një përkeqësim drastik të situatës së sotme. Po e bëjnë keq e më keq”, tha Basha.

Kryetari i PD paralajmëroi se opozita do të paraqesë një tjetër alternativë që sipas tij përmirëson situatën dhe jo e përkeqëson atë, sikundër ndodh me propozimin e mazhorancës.

“Sot ju bëjmë me dije se PD dhe opozita nuk do ta pranojnë këtë reformë, se hapi ynë i parë do jetë hartimi i një alternative tjetër, e cila, ndërtuar mbi themelin ekzistues, do të synojë përmirësimin e situatës. Ne nuk mund të pranojmë rritjen afrofe të moshës së pensionit, nuk mund të pranojmë mosrritjen e pensioneve, shkatërrimin e gjësë më të çmuar të shoqërisë, që janë njerëzit”, premtoi Basha.

Në fund të fjalës së tij, kreu i opozitës ka kërkuar ndërgjegjësimin e qytetarëve për t’i dalë përpara të keqës, e cila sipas tij duhet të ndalet për të mirën e vendit.

Top Channel