Mazhoranca nuk ka mundur të miratojë projektligjet me 84 vota. Mungesa e deputetëve në sallë për të bërë shumicën e cilësuar ka shtyrë për në seancën e fundit të Parlamentit votimin e tyre, ndër to edhe projektligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Gjashtë deputetët që nuk ishin në sallë në momentin e votimit janë Tom Doshi, Mark Frroku, Parid Cara, Pjerin Ndreu dhe Vangjel Dule, të cilët kohët e fundit kanë shfaqur rezerva për disa nisma të qeverisë, por ajo që i bashkon është pakënaqësia për mënyren sesi janë ndarë zonat e tyre në harten e re të reformës.

Të kontaktuar në telefon nga Top Channel, disa prej tyre pohojnë se nuk kanë qenë në momentin e votimit në seancë për shkak të angazhimeve personale, duke pohuar se nuk kanë asnjë rezervë me projektligjet që ishin në rendin e ditës.

Ata thonë se do të votojnë pro në seancën e ardhshme projektligjin për KLD-në, por ajo që lexohet për momentin si qëndrim paralajmërues i tyre është vota për reformën territoriale, që gjithashtu është përcaktuar të vijë për votim të enjten e ardhshme, që është dhe seanca a fundit parlamentare për këtë sesion.

Parlamenti diskuton ligjin për KLD-në
Majko: Nuk është pjesë e reformës në drejtësi, por të vëmë në rrugë KLD-në

Ndërkohë, gjatë ditës deputetët e mazhorancës diskutuan edhe ndryshimet në ligjin për KLD-në. Pandeli Majko sqaroi se kjo nuk është pjesë e reformës në drejtësi, por vetëm ndryshim i rregullores së brendshme të këtij institucioni që kishte dalë nga rruga e funksionimit.

“Jemi pak a shumë në kushtet kur ka dalë makina nga rruga dhe po e kthejmë atë në rrugë. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë element të veçantë të trajtimit të problemit të asaj që ne e quajmë reformë e mirëfilltë e sistemit të drejtësisë.

Në emër të të gjithë kolegëve, ftoj pa asnjë lloj sfide, kolegët e PD-së, që për çfarëdo dyshimi lidhur me këtë ligj, ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sot, këdo që të pyesësh në publikun e gjerë, te qytetarët i ka ardhur shpirti në majë të hundës me mënyrën se si gjyqtarët japin drejtësi. Dua ta nënvizoj, jo të gjithë gjyqtarët.

Unë besoj që të ketë mirëkuptim nga të gjithë ata që duan të kuptojnë që të gjitha këto ndryshime bëhen për një funksionim të sistemit gjyqësor.

Kush mendon se do të bëjë rolin e viktimës, është i lirë të qahet, në të kundërt jemi të gatshëm të ballafaqëhemi në institucionin më të lartë të interpretimit të ligjit dhe Kushtetutës, në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Majko.

Top Channel