Supervjedhja në bankën e shtetit

24/07/2014 00:00

Zbulohen përmasat e skandalit të vjedhjes së parave në Bankën e Shqipërisë. Dy punonjësit që drejtonin sektorin e parave stok, për disa vite me radhë kishin vjedhur nga stoku i parave të reja dhe atyre që asgjësoheshin 600 milion lekë të reja. Vjedhja u zbulua në momentin kur do të bëhej asgjësimi i parave të dalë nga qarkullimi.

Në sekret të plotë Gjykata e Tiranës dha
masën e sigurisë arrest me burg për dy ekonomistët e Bankës së
Shqipërisë, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, të arrestuar për shpërdorim
detyre dhe moskallëzim krimi në lidhje me hetimet e Prokurorisë për
dyshimet mbi vjedhjen më të madhe të Bankës së Shqipërisë që kap vlerën
e 6 miliardë lekëve.

Lëvizja e autoriteteve hetimore ka nisur nga
rrëfimi i Ardian Bitrajt, me detyrë përgjegjës i sektorit të Arkës Stok,
i cili ka rrëfyer se prej katër vitesh, në bashkëpunim me kolegen e
tij dilnin nga ky sektor me shuma të konsiderueshme lekësh që ishin
bërë gati për t’u hedhur në qarkullim dhe të tjera që ishin bërë gati
për t’u asgjësuar.

Bitraj, i punësuar që prej vitit 1993 në Bankën e Shqipërisë, i cili këtë të hënë, ditën kur një komision i ngritur nga Banka do të kontrollonte sasinë e parave të stokut, që kishin dalë nga qarkullimi dhe do të asgjesoheshin ka rrëfyer se nga sektori që ai kishte nën përgjegjësi ishin nxjerrë shuma të konsiderueshme nga Banka.

Pasi është përpjekur të shtyjë inventarizimin e gjendjes së arkës stok, ai është rrëfyer përpara Komisionit duke i tronditur ata. “Kam katër vjet që i marr lekët nga arka stok, i tërhiqja të gjitha prerje 50-she, i fshihja në trup dhe disa herë përfitova nga fakti që shefi im ishte i ri dhe nuk e kishte idenë se çfarë bëhej aty. Më pas, në mënyrë që të mos kuptohej që ishin tërhequr parà, dhe që pesha e këtyre arkave të dukej e njëjtë, aty vendosja libra”, ka rrëfyer ai.

Bitraj ka lënë pa fjalë policinë e kryeqytetit dhe Prokurorinë e Tiranës. 45-vjeçari e ka implikuar kolegen e vet, të punësuar në të njëjtin sektor duke thënë se ajo para disa muajsh kishte kuptuar që në arka mungonin 400 milionë lekë, e i kishte kërkuar llogari se ku ndodheshin shumat, por “unë i premtova – thotë Bitraj, – se do t’i ktheja”.

Ka pasur ditë që unë dilja nga sektori me lekë të fshehura në trup, që kapnin shifrën e 10 milionë lekëve dhe askush s’më kuptonte. Të gjitha lekët i kam lënë në lojrat e fatit, që janë poshtë shtëpisë sime.

Madje, te një kazino jam borxh 50 milionë lekë të vjetra. Por, justifikimi i tij duket i dyshimtë paraprakisht për Prokurorinë. Ndërkohë, Mimoza Bruzia, 42 vjeçe, ka mohuar të ketë lidhje e të ketë bashkëpunuar me 45-vjeçarin nga Skrapari, inicialet e të cilit u raportuan një ditë më parë nga vet banka, së bashku me të arrestuarën me të, si një arrestim i thjeshtë për abuzime financiare. Përmasat e kësaj vjedhjeje dhe mënyra se si është realizuar, kanë shkaktuar tërmet në bankë, e cila ka urdhëruar një hetim të brendshëm për procedurat e ruajtjes të parave stok.

Top Channel