Raporti i OKB për zhvillimin njerëzor

24/07/2014 00:00

Në raportin e zhvillimit njerëzor të vitit 2014, Shqipëria renditet e 95-ta ndër 187 vende, ku problematikë mbetet arsimi por edhe zhvillimi i brendshëm kombëtar, i cili është në nivele të ulëta.

Përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Binjellou Touim tha se sipas këtij raportimi, Shqipëria duhet të punojë më shumë në disa fusha thelbësore.

“Fëmijët adoleshentë, të moshuarit përballen me reziqe të ndryshme, 1 mijë ditët e para të fëmijës, kalimi nga shkolla tek puna apo tranzicioni nga puna tek pensoni sjellin pengesa. Sa për pabarazinë gjinore, që lidhet me shëndetin riprodhues, fuqizimin dhe aktivitetin ekonomik, Shqipëria renditet e 44-ta nga 148 vende”, ka deklaruar Touim.

Në prezantimin e raportit rezultoi se arsimimi por edhe prodhimi kombëtar i Shqipërisë është në nivele më të ulëta në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

“Shqipëria është në fund krahasuar me vendet fqinje dhe interesant është fakti se treguesi ka të bëjë me nivelin arsimor, zhvillimin ekonomik, etj. Për jetëgjatësinë, Shqipëria është më mirë se të tjerët, por për arsimin dhe prodhimin e brendshëm jo”, deklaroi Eno Ngjela, analist programi pranë PNUD.

Plot 2.2 milionë njerëz në botë rezulojnë të jetojnë në varfëri të plotë. Arsimi, ushqyerja e fëmijëve dhe sistemi shëndetësor mbeten disa nga pikat më problematike ku duhet të ndërhyhet, pasi vdekshmëria si pasojë e kequshqyerjes është në nivele të larta.

Top Channel