Dule në Athinë, takon Venizelos

24/07/2014 00:00

Ashtu siç kishte paralajmëruar, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule pati një takim me ministrin e Jashtëm grek, Evangjelos Venizelos, ku tema e bisedimeve nuk mund të ishte tjetër veçse ajo e reformës territoriale në Shqipëri.

Pas përfundimit të takimit, Dule u shpreh se vuri në dijeni ministrin Venizelos për zhvillimet e fundit në Tiranë dhe e cilësoi reformën si “tjetërsim të dhunshëm të raporteve demografike”.

”Po shkelet në mënyrë flagrante një e drejtë klasike e minoritetit. Po shkelet një e drejtë klasike e të drejtës komunitare, ajo që është e tjetërsimit të dhunshëm të raporteve demografike në hapësirat ku jetojnë pjesëtarë të minoriteteve etnike. Duhet që me përgjegjësinë e vendit kandidat për në BE, përgjegjësi që rrjedhin nga e drejta komunitare e BE-së, të reflektojmë të gjithë dhe të japim përpjekjen tonë optimale për të gjetur zgjidhjen e gjithëpranueshme. Nuk mund të ketë zgjidhje të votueshme dhe të pranueshme prej nesh kur cënohen të drejta të tilla themelore”, deklaroi Dule.

Më tej Dule nga Athina dha mesazhin se PBDNJ është e gatshme për dialog për të gjetur një zgjidhje optimale dhe europiane dhe jo një zgjidhje mesjetare.

“Nuk mund të pretendojmë realitet europian me mentalitete mesjetare të dhunimit të qytearëve të vendit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare, gjuhësore e kulturore”, tha Dule.

Në fund, kryetari i PBDNJ-së kërkoi nga kryeministri Rama më shumë kohë për këtë reformë të rëndësishme, në të kundërt la të kuptohet se nëse ajo miratohet, partia e tij nuk do jetë më pjesë e mazhorancës.

“Mazhorancat janë të përkohshme dhe të këmbyeshme në pushtet. Një ndarje administrative ndikon në fatet e vendit për periudha më afatgjata. Një reformë e tillë nuk është një reformë e një ose dy mandateve të bashkëpunimit fluid që mund të garantohen në Parlament. Përsa i përketë PBDNJ-së, nëse një reformë e tillë, me shkleje të tilla flagrante të të drejtave të pjesëtarëve të minoritetit etnik grek, bëhet ligj i shtetit, nuk do largohemi ne, por do na kenë dëbuar ne bashkë me vlerat që ne përfaqësojmë”, shtoi Dule.

Zv/ministri i Jashtëm kundër reformës
Alqi Pulaj i PBDNJ, në takim me minoritetin në Derviçan

Posti i zëvendësministrit të Jashtëm nuk e ka penguar Alqi Pulajn, i emëruar në këtë post me propozim të PBDNj-së, të kundërshtojë reformën territoriale, në një takim në Derviçan, ku ishte i pranishëm edhe kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano.

Ndërsa në takim foli në gjuhën greke, në interesim e mediave pas takimit, ku ishte në cilësinë e përfaqësuesit të PBDNJ-së, ai përsëriti qëndrimin e forcës së tij politike për qëndrimin kundër.

“Kishim një garanci deri 10 ditë më parë, që ato dy kritere që kishim vënë ne të mos ndryshonin. Gjithashtu, ekspertët ndërkombëtarë kanë investuar dhe ky variant është funksional. Nëse do vendosim për më shumë se 50 bashki, vendimi i ekspertëve është 63 me Vranishtin jashtë Himarës”, deklaroi Pulaj.

Një ditë pasi Ministria jonë e Jashtme e konsideroi telefonatën e shefit të diplomacisë greke mbi reformën territoriale ndërhyrje të Athinës në një çështje të brendshme të Shqipërisë, nga ky takim kreu i Omonias e legjitimoi lëvizjen e Greqisë si të drejtën e çdo shteti anëtar të BE-së.

“Nuk mundet që vendet në kufi me Shqipërinë të bëjnë sehir, aq më tepër në rastin konkret. Greqia interesohet për mbarëvajtjen normale të minoritetit, në mbështetjen që ajo i jep Shqipërisë”, deklaroi Bollano.

Top Channel