Futbollisti brazilian që u bë ukrainas thërritet ushtar

24/07/2014 00:00

Edmar Halowski de Lacerda është futbollisti brazilian i cili vite më parë u natyralizua ukrainas me shpresën se do të thirrej në kombëtaren e këtij vendi, por…

Braziliani 34-vjeçar zbriti për herë të parë në Ukrainë në vitin 2000, kur ishte 20 vjeç. E nisi karrierën e tij futbollistike në këtë vend me skuadrën Tavriya Simferopol dhe më vonë me Metalist Kharkiv.

Nuk ishte ndër lojtarët që linin mbresa në fushë dhe mundësitë për t’u thërritur në kombëtaren braziliane ishin thuajse zero. Dëshira për të qenë pjesëmarrës në futbollin ndërkombëtar me një skuadër, por edhe lidhja e veçantë me Ukrainën, për shkak të bashkëshortes së tij, e bënë që të vendoste të merrte pasaportën ukrainase.

Atëherë askush nuk e mendonte se në 2014 do të niste një konflikt me Rusinë dhe separatistët pro-rusë në lindje të vendit dhe de Lacerda gjithashtu. Por sot, pasaporta ukrainase jo vetëm që nuk i shërbeu si një biletë për të luajtur në këtë kombëtare, por ndodhi krejtësisht e kundërta, atij i është kërkuar të paraqitet në armë për të mbrojtur atdheun në bazë të një rekrutimi masiv që po ndërmarrin autoritetet vendase për t’u përballur me krizën në lindje dhe ndërhyrjen e mundshme ruse atje.

“Të jem i sinqertë nuk e di se cfarë do të bëj kur të shkoj ushtar. Futbolli është e vetmja gjë që mund të bëj. Me sa kam dëgjuar unë, asnjë prej skuadrës nuk është thërritur ushtar, ose ndoshta asnjë nuk dëshiron të flasë për këtë”, thotë ai.

Top Channel