“Himara nuk është minoritet grek”

24/07/2014 00:00

Shqetësimet e Athinës zyrtare për reformën e re territoriale në Shqiperi, historiani Pëllumb Xhufi i quan pa vend.

“Venizellos ndërhyn sikur ka të bëj me një minoritet grek. Këtu është problemi madh. Venizellos duhet ta dijë mirë se ka qënë gjyshi i tij kryeministër në atë kohë kur u pranua në Lidhjen e Kombeve në vitin 1921 dhe është pranuar me një kusht për të njohur minoritetet dhe janë njohur. Shqipëria ka paraqitur hartën e minoriteteve ku është njohur ai grek dhe malazez dhe ai grek është përcaktuar në ato fshatra ku jetojnë. Ka ardhur dhe një Komision i Lidhjes së Kombeve që ka vlerësuar gjendjen në terren dhe Himara absolutisht nuk ka bërë pjesë në hartën e minoritetit grek në Shqipëri. Kombësia është çështje fakti dhe fakti është se Himara me dokumenta me vetëdeklarimet e himarjotëve është një komunitet shqiptar, madje ndër më të shquarit në luftrat për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar”, thotë Xhufi.

Ndërsa Presidenti i Akademisë Diplomatike shqiptare Lisen Bashkurti thotë se diplomacia e cdo vendi e ka për detyrë të interesohet për minoritetet në kuadër të garantimit të drejtave të tyre, por ky nuk është rasti.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me aspekte të trajtimit të lirive dhe të të drejtave të minoriteteve të cilat janë të konsoliduara në Shqipëri me Kushtetutë dhe ligj, të konfirmuara dhe të njohura si të tilla ndërkombtarisht. Më duket që diplomacia greke pothuajse e ka bërë precedent t’i ngatërroj limitet dhe të drejtat themelore të lirive të njeriut për pakicat me çështjet e brendëshme që kanë të bëjnë me reformat e brendshme të cilat do t’i ndërmarrë herë pas here në rrugën e integrimit. Pra është një ndërthurje e mirëfilltë në punët e brendshme adminstrative territoriale të pushtetit në Shqipëri. Qeveria, mazhoranca parlamentare dhe Ministria e Punëve të Jashtëme kanë mbajtur një qendrim shumë të drejtë bazuar në drejtat kushtetuese që ka ekzekutivi për procesin e udhëheqjes së reformave, kompetencat që ka mazhoranca parlamentare e mandatuar nga qytetarët shqiptarë dhe respektimi i plotë i Kartës Europiane të Drejtës së Njeriut dhe Konventës për të Drejtat e Komuniteteve pakicë”, deklaron Bashkurti.

Top Channel