Krim i trefishtë në familje 

24/07/2014 00:00

Ende pa u shuar jehona e vrasjes së pesëfishtë brenda familjes në Fier, një tjetër krim i ngjashëm u regjistrua në Korçë.

Një  50 vjeçar vrau gruan, djalin e tij 5 muajsh dhe më pas edhe veten. Sipas të dhënave të policisë, Edmond Fici ka vrarë familjen e tij teksa ishin në gjumë. Ai i qëlloi me armë zjarri automatike, ndërsa ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 në banesën e çiftit, në rrugën që të çon në fshatin Boboshticë.

Sipas burimeve nga policia, mësohet se 50 vjeçari ka qëlluar fillimisht me një plumb në kokë bashkëshorten e tij, Albina Fici dhe më tej edhe fëmijën e mitur. Burime të policisë bëjnë me dije se çifti i bashkëshortëve prej kohësh kishte grindje për shkaqe xhelozie dhe më herët kanë pasur konflikte.

Vetëm pak minuta pas kësaj ngjarje, një tjetër krim në familje ka ndodhur në qytetin e Shkodrës. Në fshatin Kir të komunës Dukagjin, nga të dhënat paraprake dyshohet se një konflikt pronësie brenda familjes ka çuar në plagosjen e dy vëllezërve dhe nënës së tyre.

Raportohet se të plagosurit janë dy vëllezërit, Martin e Kol Qershia dhe nëna e tyre Lina Qershia, e cila është në gjendje të rëndë. Nga të dhënat e deritanishme të policisë, mësohet se vëllezërit janë konfliktuar mes tyre, konflikt i cili ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve. Por për shkak të zonës së thellë ku ka ndodh ngjarja, ende nuk ka informacione zyrtare lidhur me dinamikën e ngjarjes.

Ditën e martë, shtetasi Bajram Vrapi, i cili nuk ishte dakord me fejesën e mbesës së tij 17-vjeçare, qëlloi për vdekje me armë gjahu dy vëllezërit e tij, kunatën, mbesën dhe më pas veten pasi nuk arriti t’i shpëtonte rrethimit të forcave të policisë.

Ndërsa më herët gjatë muajit, një vrasje e ngjashme tronditi fshatin Grec të Komunës Pezë, në Tiranë, ku tre anëtarë të familjes Kolgjini u gjetën të vrarë. 

Top Channel