Top Story, reformat e mëdha të mazhorancës

24/07/2014 00:00

Kuvendi mbylli seancën e kësaj të enjte pa votuar tre nga ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, mes tyre edhe ai për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kjo për shkak të mungesës së pesë deputetëve nga radhët e vetë mazhorancës.

E enjtja tjetër është mundësia e fundit që këto reforma të mbyllen këtë sesion parlamentar që përmbyll gjithashtu edhe bilancin 300-ditor të mazhorancës së majtë. Cili është bilanci i 300 ditëve të para? Sa prej premtimeve të saj të para 23 qershorit janë realizuar dhe në sa prej këtyre premtimeve janë hedhur hapat e para?

Për të folur për këtë në panelin e Top Story këtë të enjte me gazetarin Sokol Balla ishte i ftuar Ilir Beqja si një ndër figurat drejtuese të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Ministër i Shëndetësisë. Beqja e nisi fjalën e tij me atë që e quajti arritjen më të madhe, marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërkohë që rënditi edhe reformat e ndërmarra në sektorë të ndryshëm të vendit. Sa për debatet brenda mazhorancës, ai tha se ato kanë qenë në vazhdimësi dhe dialogu e përplasjet për çështje të ndryshme nuk ka munguar.

“Objektivi i parë madhor që ishte marrja e statusit kandidat është përmbushur. Unë besoj se edhe përmbushja brenda 300 ditëve të para në një situatë komplekse dhe të vështirë që morëm detyrën e disa angazhimeve që në morëm, përfshirë angazhimin për taksën e ndershme, përgjysmimin e tatim-fitimit mbi biznesin e vogël, një proces të plotë të përpjekjeve serioze për të vënë në binarë arsimin shqiptar, rendi po ashtu. Lazarati është rënie e mitit të paprekshmërisë. Një mazhorancë e madhe në vijimësi ka herë pas herë diskutime. Ne vazhdojmë të kemi diskutime të nxehta në ekonomi, për reformën e pensioneve. Kemi treguar qartë vullnet në luftën kundër korrupsionit, qoftë në atë të zyrtarëve të lartë, qoftë në atë kapilar”, tha Beqja.

Një ndër zotimet e mëdha të kësaj mazhorance është reforma territoriale. Kjo reformë kërkon shumicë të cilësuar, një numër prej 84 votash. Por megjithëse të gjitha palët bien dakort për nevojën e kësaj reforme, Partia Demokratike ka bojkotuar punimet e Kuvendit dhe e cilëson ndarjen e propozuar nga Komisioni i Posaçëm i ngritur nga mazhoranca si një hartë tërësisht elektorale. E në këtë kushte duket se mazhoranca dhe PDIU kanë gjetur interesat e përbashkëta. Kjo e fundit është afruar gradualisht qendrimeve të mazhorancës dhe mbështet ndarjen e re territoriale. Pyetja që ngrihet në këtë situatë është nëse po përdoret kjo reformë për të fituar numra në Kuvend?
 
“Kjo reformë i duhet vendit e rëndësishme që do të ketë frutet e saj në një afat të mesëm dhe afat të gjatë. Partia Demokratike për fatin e keq zgjodhi që të mos ishte prezente, ashtu sic nuk ishte prezente në diskutimet në shumë reforma të mëdha të vendit. Ishin 8 vjet në qeveri dhe nuk patën kurajon dhe përgjegjshmërinë që të sillnin në Kuvend një dokument të një versioni reforme. Kemi në dorë një sërë reformash të tjera, por sërish PD nuk është aty. Sa për PDIU, PDIU është një parti me një kauzë të caktuar që kërkon të përfitojë sa më shumë nga kjo dhe kjo është mëse normale në politikë”, u përgjigj Ilir Beqja.

Ekonomisti Ardian Civici tha se reforma në pamje të parë duket më shumë një reformë kompromisesh politike. Ai tha se duhet të kishin përparësi faktorët ekonomikë dhe financiarë të zonave të caktuara në ndarjen e re dhe ngriti pyetjen: A ka patur një studim në këtë ndarje?

“Sistemi aktual tregoi që nuk funksionon ndaj duhej ndërhyrë. Dokumentacioni shoqërues i reformës është shumë voluminoz që lidhet me popullsinë, shpërndarjen e popullsisë, ekonominë dhe shumë faktorë të tjerë”, tha Beqja.

Ajo që vihet re në këtë reformë është prekja e një tabuje në këto 24 vite tranzicion; Himarës. Me ndarjen e re, mundësitë që kandidatët e PBDNJ-së apo të Omonia për të fituar këtë njësi me statusin e një minoritari, janë thuajse zero.

Analisti Shpëtim Nazarko u shpreh se Himara ka qenë tabu për shkak të dobësisë sonë kombëtare. “Himara është një krahinë shqiptare dhe nuk ka asnjë arsye që të kërkojmë historira atje ku nuk janë. PBDNJ ka shfrytëzuar dobësinë kombëtare dhe tolerimin e PS dhe të PD, por unë jam i bindur që nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet korrekte, kjo parti nuk do të merrte asnjë deputet”, tha Nazarko.

Beqja vlerësoi se më shumë se sa llogaritë politike, ndarja e re e territorit siguron një menaxhim më të mirë dhe rritjen e efikasiteti dhe investimeve. Sa i përket rastit të Himarës, ai tha se njësia që propozohet është potenciali më i madh turistik që ka Shqipëria.

“Krijimi i një njësie më të qendrueshme administrative e shndërron atë më të fuqishme dhe të aftë për të investuar vetë”, deklaroi Beqja.

Pjesa e parë u mbyll me komentin e Robert Rakipllari kryeredaktor i gazetës “Panorama”. Ai bëri një panoramë më të zymtë të situatës së përgjithshme të vendit. Sipas tij, 300 ditë janë të mjaftueshme për të dhënë sinjalet e para të reformave të mazhorancës, të rrugës dhe drejtimit që do të ndjekë vendi. Për të këto sinjalë mungojnë.  Ai shtoi se situata madje është përkeqësuar duke nisur që me ndërprerjen e investimeve publike, ndërsa kërkoi të njihej me efektet që kanë në ekonomi vendimet e derisotme të qeverisë dhe mazhorancës.  

“Puna jonë si fillim është përqendruar në shlyerjen e borxheve. Rimbursuam TVSH dhe efekti në ekonomi është frenimi i rritjes së kredive me probleme, kanë rënë provigjionet e bankave dhe ka aktivizim të kontratave të punëve publike. Sa i përket investimeve publike ato vazhdojnë; sapo është miratuar kredia për Bypass e Fierit, po punohet në Bypas i Vlorës, Ujësjellësin e Durrësit etj”, tha Beqja.

Më tej ministri Beqja  tha se i gjithë programi ekonomik i mazhorancës bazohet në tre shtylla, bujqësi, manifakturë dhe turizëm, por pa harruar edhe sektorët si energjia dhe uji që sipas tij janë sektorët konsumi të mëdha burimesh njerëzore dhe financiare.

Që nga marrja e pushtetit në shtator, qeveria vazhdimisht ka raportuar rritje të arkëtimeve në buxhet. Opozita ka vlerësuar se kjo rritje ka ardhur nga rritja e taksave, ndërsa mazhoranca thotë se rritja i faturohet shpërndarjes më të drejtë të skemës. Beqja tha se të ardhurat më të mëdha në buxhet sigurohen nga TVSH dhe akciza, ndërsa tatim-fitimi zë një peshë të vogël. Ai tha se rishpërndarja e tatimit të drejtpërdrejtë mundësoi rritjen e arkëtimeve.

Pjesa e tretë nisi me reformën në drejtësi. I pari që foli ishte Rakipllari. Ai tha se ka një tendencë të qeverisë për të kapur sistemin e drejtësisë, njësoj si Berisha në fillimet e veta.

“Qeveria Berisha ka shpenzuar energji shumë të madhe për këtë gje dhe shkoi deri aty sa drejtësia u kap dhe ishte në duart e qeverisë. Berisha në fillimet e veta përmendte emra gjyqtarësh si Artan Gjermeni, sot Rama përmend sërish emra gjyqtarësh, Gjin Gjonin. Për mua është e njëjta gjë, tendencë e qeverisë për ta kapur gjyqësorin”, tha ai.

Ilir Beqja tha se sistemi është kalbur dhe është vënë në shërbim të vetvetes dhe nisma e mazhorancës, përfshirë këtu edhe ligjin për funksionimin e KLD-së synon realizimin e premtimit elektoral; drejtësi për shqiptarët.

Për Shpëtim Nazarkon reforma në drejtësi kërkon një dorë të huaj për t’u ndërmarrë, ndërsa Rakipllari tha se nuk zgjidhet nga një mazhorancë politike që kërkon të zgjerojë pushtetin e vet.

Beqja u përgjigj se mazhoranca nuk synon kapjen e sistemit të drejtësisë dhe për këtë garante është edhe Kushtetuta që kërkon një numër të caktuar votash në Kuvend për të kaluar reforma të tilla.

Top Channel