Ndihma në Siri pa miratimin e qeverisë

25/07/2014 00:00

Dërgesa e parë me ndihma nga OKB-ja ka mbërritur në Siri pa pëlqimin e qeverisë së Damaskut. Rreth një javë më parë Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë, e cila lejonte dërgimin e ndihmave pa marrë miratimin e qeverisë siriane.

Zyrtarët e organizatës ndërkombëtare kanë bërë të ditur se 9 kamionë me ushqime dhe furnizime sanitare kanë hyrë në Siri nga Turqia gjatë ditës së enjte. OKB-ja thotë se më shumë se 10 milionë sirianë janë në nevojë për ndihma, pas më shumë se tre vite nga fillimi i luftës brutale civile.

Më shumë se 150 mijë njerëz janë vrarë në Siri dhe mbi 9 milionë janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftës, e cila filloi si një kryengritje kundër Presidentit Bashar al-Assad.

Zyrtarët shprehen se do të duhet kohë për të shpërndarë ndihmat në qytetet e planifikuara. Deri tani, thuajse 90% e ndihmës së OKB-së në Siri ka shkuar në zona, të cilat janë ende nën kontrollin e qeverisë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon ka akuzuar si qeverinë ashtu edhe opozitë për pengimin e ndihmave, duke e cilësuar atë një ‘taktikë të luftës’.

“Situata në Siri po degradon çdo ditë. Problemet me ujin dhe kushtet shëndetësore në zonat në konflikt janë të rrezikuara për shpërthimin e sëmundjeve”, ka thënë Ban Ki-moon.

Javën e kaluar Këshilli i Sigurimit miratoi një zëri një rezolutë që autorizonte dërgimin e ndihmave pa miratimin e qeverisë. Ndihmat do të dërgoheshin në katër fazë, ku dy do të kalonin nga Turqia, një nga Jordania dhe një nga Iraku.

Qeveria siriane ka paralajmëruar se i sheh autokolonat e OKB-së si një sulm ndaj sovranitetit të saj.
 

Top Channel