Ministrja e Punëve të Jashtme e Italisë, Federica Mogherini ka qëndruar për vizitë në Prishtinë ku ka rikonfirmuar mbështetjen italiane dhe evropiane për Kosovën.

Kryediplomatja italiane, vendi i së cilës udhëheqë presidencën e re të BE-së nuk e ka lënë pa folur edhe për liberalizimin e vizave për kosovarët, pasi pikërisht të enjten Komisioni Evropian ka publikuar një raport vlerësimi.

Raporti i Komisionit Evropian rekomandon që Kosova duhet të rrisë riintegrimin e qëndrueshëm të të kthyerve, të përmirësojë saktësinë e sistemit të saj për statusin civil, të shtyjë përpara sistemin informativ për viza, të zhvillojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të krijojë një regjistër të besueshëm për vendimet e gjykatave, të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni rekomandon hapa të mëtejshëm nga ana e Kosovës për zbutjen e rreziqeve në fushën e sigurisë dhe migrimit nga liberalizimi potencial i vizave.

Megjithëkëtë, ministrja italiane tha se krahas çështjeve teknike, brenda BE-së duhet një vullnet i shtuar politik dhe brenda këtij viti të tregohet data e heqjes së vizave.

“Vendimi për liberalizimin e vizave është një çështje teknike, por unë mendoj që është në interes të BE-së që të japi një sinjal politik të qartë, në kuptimin që të tregohet data dhe të vazhdohet të punohet për realizimin e të gjitha çështjeve në aspektin teknik. Nga ana italisë është mbështetja e plotë dhe vullneti politik ekziston”, deklaroi Mogherini.

Nevojën e lëvizjes politike të BE-së karshi Kosovës e ka paraqitur edhe kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj.

“Kosova i ka përmbushur kriteret teknike dhe është në përfundim të përmbushjes së gjitha kushtee. Tani na nevojitet që brenda këtij viti BE të dalë qartësisht me datën për heqjen e vizave. Kjo do të ishte në interes të të gjithëve. Kosova po i përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara edhe në marrëveshjen e stabilizim-asociimit”, Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës.

Përveç diskutimeve politike, dy ministrat e jashtëm kanë nënshkruar edhe një marrëveshje ndërshtetërore, e cila u mundëson bizneseve kosovare që të qarkullojnë lirshëm mallrat e tyre në Itali dhe përmes këtij vendi në vendet e tjera.

Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, shefja e diplomacisë italiane e cila është kandidate e edhe për ta zëvendësuar shefen aktuale për politikë të jashtme të BE-së, ka marrë pjesë edhe në inaugurimin e ambasadës së re të Italisë në kryeqytetin kosovar.

Top Channel