Gaza, të vdekurit 800; ripropozohet armëpushimi

25/07/2014 00:00

Bilanci i viktimave ka arritur në 800 të vdekur që nga nisja e
operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. Lajmin e bëjnë të
ditur burime mjekësore palestineze.

Ajo që ka ngjitur bilancin ka qenë një sulm i artilierisë izraelite që ka shkatërruar një shtëpi në Khan Junis, në jug të Gazës, duke shkaktuar viktimat e radhës.

Ndërkohë, sot në Izrael mblidhet Kabineti i Sigurisë. Shpresat për një armëpushim janë ende të gjalla. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, sipas raportimeve të mediave të ndryshme, u ka prezantuar palëve të përfshira në konflikt një projekt/armëpushim.

Sipas burimeve mediatike, teksti si hap të parë parashikon hyrjen në fuqi të dielën të një armëpushimi njëjavor. Gjatë kësaj kohe, palët, falë ndërmjetësimit ndërkombëtar, do të fillojnë negociatat mbi pikat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë.

Mes pikave të propozuara nga Kerry, të cilat parashikojnë pjesëmarrjen aktive të Autoritetit Kombëtar Palestinez në negociata, është ajo që gjatë armëpushimit njëjavor trupat izraelite të mos e braktisin tërësisht Rripin e Gazës. Por kjo pritet të jetë një nga temat më të kontestuara nga pala palestineze.

Gjatë armëpushimit, palët parashikohet të takohen në Kajro, ku do të bisedojnë të ndërmjetësuara nga pala egjiptiane. Shtetet e Bashkuara, sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe Bashkimi Evropian janë gati t’u dalin garant të dyja palëve se negociatat do të trajtojnë temat thelbësore.

Për Izraelin janë çarmatosja e raketave të Gazës dhe tunelet nëntokësore, ndërsa për Hamas dhënia fund e bllokadës ekonomike dhe shpërblimet për dëmet e shkaktuara Rripit gjatë operacioneve.

Protesta të dhunshme në Gaza, viktima

Të paktën dy palestinez janë vrarë në Bregun Perëndimor dhe mbi 200 të
tjerë kanë mbetur të plagosur pas protestave kundër ofensivës izraelite
në Gaza.
Të paktën 10 mijë protestues marshuan nga  Ramallahu drejt Jeruzalemit, ku nisën edhe përleshjet me forcat izraelite.

Protestuesit bllokuan një rrugë kryesore, duke i vënë zjarrin disa gomave. Gjithashtu ata qëlluan edhe me gurë në drejtim të forcave të sigurisë, të cilat u përgjigjën duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Kjo protestë në Bregun Perëndimor është cilësuar nga mediat vendase si lëvizja më e madhe e palestinezëve që prej viteve 2000-2005.

Ndërkohë më herët gjatë së enjtes, të paktën 15 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur kur një shkollë e menaxhuar nga OKB dhe që shërbente si strehim në Gaza është bombarduar nga sulmet izraelite.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë. Qindra palestinezë ndodheshin në këtë shkollë, në Beit Hanun, pasi ishin larguar nga zonat e përfshira nga lufta.

Ndërkohë, që prej fillimit të ofensivës izraelite kanë mbetur të vrarë më shumë se 800 persona nga të cilët 33 janë izraelitë.

Top Channel