BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë

25/07/2014 00:00

BE ka vendosur të zgjasë ngrirjen e pasurive të 15 individëve dhe 18 kompanive ruse apo pro-ruse të përfshira në krizën e Ukrainës. Për individët parashikohet edhe ndalimi i udhëtimit.

Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të Unionit kanë dhënë dritën jeshile edhe për hartimin e bazës ligjore për të shtrirë sanksionet edhe ndaj oligarkëve rusë.

Mbledhja e përfaqësuesve të vendeve anëtare pritet të zhvillohet më vonë gjatë së premtes, për të vijuar punën mbi propozimin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, e njohur ndryshe si Faza 3, e prezantuar nga Komisioni Evropian.

Një propozim me impakt të fortë ekonomik është ai për eksportet e vendeve të BE-së, që për rrjedhojë ka gjasa që të sjellë përplasje mes vendeve partnere.

Sipas mediave evropiane, masat e propozuara nga Brukseli synojnë mes të tjerash ndalimin e aksesit në bursa dhe në tregjet financiare evropiane të bankave ruse të kontrolluara nga shteti për rreth 50 për qind të kapitalit, ndalimin e investimeve evropiane në institucionet financiare publike të Rusisë, si dhe bllokimin e eksportit të materialeve sociale për industrinë e naftës, por edhe për kompjuterat dhe shërbime të tjera.

Masave që do të godasin sektorin financiar, e që do të kishin impakt maksimal ndaj Londrës, u janë kushtuar mbi dy nga 10 faqet që përbëjnë dokumentin e elaboruar nga Komisioni.

Më pas vijnë propozimet për embargon e armëve, që mund të jetë shumë i ndjeshëm për Francën dhe për kufizimin e eksportit të teknologjive të tipit “dual use”.

Por sipas “Financial Times”, ka pak gjasa që të aktivizohet bllokimi i aksesit në tregjet e kapitaleve. Në dokument vlerësohet se në tregun evropian janë futur nga Rusia 7.5 miliardë euro nga 15.8 miliardët e emetuar në vitin 2013 nga institucionet financiare publike ruse.

Top Channel