Vjen në jetë djali i kryeministrit

25/07/2014 00:00

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ka sjellë në jetë një djalë.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama ai i cili nëpërmjet një postimi në Twitter njoftoi lindjen e djalit.

“Linda solli në jetë Zahon.” Nëpërmjet këtyre fjalëve dhe një fotoje ku duket dora e bebes së porsalindur, Rama ka përcjellë lajmin duke u bërë kështu baba për të dytën herë.

Top Channel ka mësuar se zonja Rama ka lindur nëpërmjet operacionit në një klinikë jashtë Shqipërisë. Gjatë lindjes ka asistuar edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka lënë aeroportin “Nënë Tereza” pasditen e së enjtes.

Drejtoresha e Maternitetit “Koço Glozheni”, Rubena Moisiu, së bashku me një grup mjekësh të cilët kanë ndjekur shtatëzëninë e zonjës Rama, sugjeruan që ardhja në jetë e bebit të bëhet në një strukturë të specializuar jashtë vendit. Sipas zonjës Moisiu, ky këshillim ka ardhur për disa arsye që kishin të bënin me gjendjen e nënës e në veçanti me moshën e saj.

Lindja e Zahos vjen rreth katër vjet pas martesës së Linda Bashës me Edi Ramën.

Emri i foshnjes duket se ka qenë surpriza për publikun, por burime të mirëinformuara i thanë Top Channel-it se emri është tradicional shqiptar, me një prejardhje që nga koha e ilirëve.

Në mbrëmje, kryeministri Edi Rama postoi në Facebook një foto ku shihet duke mbajtur në krah të porsalindurin, fotoja e tij e parë publike me Zahon.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel