Ambasadat e SHBA vonojnë dokumentet

25/07/2014 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se një defekt kompjuterik do të vonojë pasaportat dhe vizat që jepen nga ambasadat amerikane në mbarë botën.

Zëri i Amerikës citon zyrtarë në Uashington të pohojnë se defekti që u zbulua të shtunën mund të lerë në pritje miliona njerëz që duan të marrin dokumente udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësja e Departmentit të Shtetit, Marie Harf tha se problemi ka prekur të gjitha vendet e botës dhe jo ndonjë vend të veçantë, dokumente apo kategori specifike vizash.

Sipas saj, problemi i krijuar do të pezullojë dhënien e pasaportave amerikane, vizave dhe raporteve për amerikanët e lindur jashtë vendit.

Departmenti i Shtetit po punon për ta korrigjuar këtë ngërç, por nuk ka dhënë ndonjë afat të caktuar se kur mund të zgjidhet problemi.

Top Channel