HEC-et, fillon anulimi për 30 leje

25/07/2014 00:00

Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri ka firmosur anulimin e konçesionit për 30 hidrocentrale të tjera, në të cilat janë konstatuar mangësi ligjore dhe mosrespektim i kontratave.

Ndër HEC-et e anuluar janë ai i Egnatias, Domajt, Steblevës dhe disa të tjerë në rrethin e Tepelenës dhe atë i Librazhdit.

Burimet zyrtare nga Ministria e Energjitikës sqarojnë për Top Channel se gjatë proçesit të kontrollit janë vërejtur një numër jo i vogël shkeljesh të kushteve kontraktore, që lidhen me gjithë fazat zinxhir të konçesionit, nga dhënia e tyre dhe deri tek përmbushja e kushteve.

Sipas burimeve, privatët nuk kanë përmbushur kushtin e regjistrimit në kohë të shoqërisë pranë QKR-së, kanë treguar vonesa në paraqitjen e projekteve dhe në shumë raste kanë vepruar si sekserë duke transferuar apo shitur konçesionet pa miratimin e ministrisë.

Po kështu, ministria pretendon se nga verifikimet në këto kontrata është konstatuar në këtë grup HEC-esh cilësi e ulët e investitorëve nga pikëpamja teknike, por edhe ajo financiare, si dhe mungesa të theksuara të zbatimit të legjislacionit për shoqëritë tregtare.

Ministria bën të ditur se kjo është faza e parë e kontrollit, ndërkohë që po vazhdon auditi i të gjitha kontratave konçesionare për të parë përputhshmërinë e tyre me detyrimet ligjore.

Top Channel