“Reforma, urgjente dhe gjithëpërfshirëse”

25/07/2014 00:00

Për zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, problemet me  drejtësinë janë shqetësimi më i madh i të gjithëve, ndaj reformat për të duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

“Gjendja ku ndodhet sistemi i drejtësisë sot është problemi ynë më i madh. Nuk është problem i qeverisë shqiptare, por i shoqërisë shqiptare. Perceptimi i qytetarëve për performancën e sistemit të drejtësisë ka prekur fundin. Të gjitha sondazhet tregojnë një mungesë të theksuar besimi te ky sistem dhe një perceptim të tij si të kapur nga korrupsioni, klientelizmi, politizimi dhe një frymë korporative”, theksoi zoti Peleshi.

Për këtë arsye lufta ndaj korrupsionit do të nisë nga gjyqësori, tha gjatë analizës 300-ditore të Ministrisë së Drejtësisë ministri Nasip Naço: “Lufta kundër korrupsionit do të ketë në fokusin e saj ndërgjegjësimin e opinionit publik në luftën ndaj korrupsionit gjyqësor, parandalimin e korrupsionit duke reformuar e modernizuar të gjithë sistemin e drejtësisë, dekurajimin pa kompromis të këtij fenomeni nëpërmjet zbatimit të ligjit anti-mafia duke filluar me sekustrimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme nga gjyqtarë dhe prokurorë. Është e papranueshme që aktorë kyç të sistemit të drejtësisë me veprimet apo mosveprimet e tyre e kanë kthyer veprimtarinë e institucioneve që drejtojnë në një sagë të pafundme, në një telenovelë që çdo seri e saj na surprizon me guximin e shkeljes së ligjit, mungesën e eficencës dhe papërgjegjshmërinë e vendimmarrjes.”

Drejtuesit nën varësi të Ministrisë së Drejtësisë raportuan nga ana e tyre rezultatet 300 ditore.

“Zbatimi i ligjit për amnistinë solli ulje të ndjeshme të popullimit në burgje, ku përfituan lirimin e menjëhershëm 813 persona. Ende ngelet problem mbipopullimi në paraburgim”, tha Artur Zoto.

“AKKP-ja do të plotësojë edhe një nga angazhimet e tjera të qeverisë: identifikimin e faturës së kompensimit të pronarëve në këto 21 vjet”, theksoi Sonila Qato, drejtuese e AKKP-së.

Top Channel