Të gjitha mjediset, por edhe fondet e Qendrës Albanologjike, të cilat prej vitesh ishin në një gjendje të mjerueshme dhe të paaksesueshme për studiuesit, janë restauruar.

Investimi prej 100 mijë dollarësh që kjo qendër i ka përfituar nga granti i ambasadorit amerikan për trashëgiminë kulturore, kanë bërë që jo vetëm ambientet, por edhe fondet të jenë të shfrytëzueshme për kërkime të ndryshme.

Ardian Marashi, drejtor i qendrës së studimeve albanologjike, thotë: “Janë rivitalizuar plotësisht fondet arkeologjike të Apollonisë, fondet arkeologjike në Korçë dhe kemi mbërritur në një fazë studimi intensiv pas një faze intensive gërmimesh arkeologjike.”

Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, shprehet: “Për herë të parë, fondi i ambasadorit për trashëgiminë kulturore akordohet i gjithi për realizimin e këtij projekti.”

“Ministria e Kulturës është po aq e përgjegjshme dhe po aq e interesuar që çdo objekt arkeologjik dhe çdo zbulim të jetë në kushte të sigurta. Cka është arkeologji dhe është nën tokë, e mbron nëntoka; kur e nxjerrim sipër, jemi të gjithë bashkë rojtarë të asaj që nxjerrim”, deklaroi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu shprehet i kënaqur që përmes këtij fondi ka ndihmuar në ruajtjen e historisë së Shqipërisë: “Projekti që përurojme sot do të sigurojë që artefaktet e çmuara të strehuara në këtë ndërtesë do të mbrohen e të ruhen për breznitë e ardhshme. Ky është një rinovim i nevojshëm për të ruajtur fragmente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe për t’u ofruar kërkuesve një hapësirë për të studiuar historinë e kombit.”

Top Channel