Mos i ndërroni shpesh turnet, rrezikoheni nga diabeti!

25/07/2014 00:00

Personat që punojnë me turne rrezikojnë të preken nga diabeti më shumë se sa të tjerët.

Rezultatet e studimit ndërkombëtar, të realizuar mbi rreziqet që sjell një mënyrë e tillë pune, janë publikuar në revistën shkencore “Mjekësia, puna e mjedisi” dhe i vendosin personat, që i nënshtrohen rotacionit të orareve të punës, në situata më problematike për shëndetin, se sa ata me turne normale.

Besohet se ndryshimet e orareve çrregullojnë orën biologjike të trupit, duke prekur hormonet dhe gjumin. Për këtë arsye, ekspertët i këshillojnë personat, që punojnë me turne, të ndjekin një dietë ushqimore sa më të shëndetshme e të balancuar.

Diabeti mund të çojë deri në verbim, shton rrezikun e atakut kardiak e hemorragjisë cerebrale, si dhe shkakton dëmtim të nervave e venave të gjakut, duke rritur ndjeshëm riskun e nevojës për amputim të këmbëve.

Studimi tregon se dremitja, në momentet jo të përshtatshme të ditës, mund të çojë brenda disa javësh drejt fazave të hershme të tipit 2 të diabetit, një çrregullim i rëndë e ndoshta vdekjeprurës, që kufizon aftësinë e trupit për ta shndërruar sheqerin në energji.

Top Channel