ISIS pushton bazën ushtarake siriane

25/07/2014 00:00

Luftëtarë nga ekstremistët e Shtetit Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL) kanë mësyrë tashmë një bazë të madhe ushtarake siriane, e cila ndodhej në periferitë e qytetit të Raqqa-s.

Luftëtarët ekstremistë kanë publikuar imazhe të ushtarëve të marrë peng e që iu pre koka, pas luftimeve të ashpra për kontrollin e bazës.

Ushtria siriane nuk ka konfirmuar ende rënien e bazës në kontrollin e ISIS, por tha se ka nisur të organizojë një kundërsulm. ISIS kontrollon gjithashtu një pjesë të madhe të provincës së Raqqa-s, e së fundi ka zgjeruar territorin edhe në vendin fqinj të Sirisë, Irak.

Grupi, i cili e ka ndërruar tashmë emrin në vetëm Shteti Islamik, e konsideron territorin nën kontrollin e tyre në Irak dhe Siri, si një kalifat.

Baza e Raqqa-s, e drejtuar nga Divizioni 17 i ushtrisë siriane, thuhet të jetë pushtuar gjatë natës, pasi u mësy nga luftëtarët e ISIS.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, një grup që monitoron viktimat në konflikt, sulmi në bazë nisi me dy shpërthime automjetesh me bomba. Ndërkohë, helikopterët e ushtrisë siriane kanë sulmuar pozicionet e ISIS përreth bazës.

Me dhjetra luftëtarë të ISIS dhe ushtarë të qeverisë janë vrarë apo plagosur gjatë sulmit, bën të ditur grupi nga Britani. Baza është më e madhja e llojit të saj në Sirinë veri-lindore, dhe thuhet se është e pajisur me armë dhe municione të fshehura më së miri.

Top Channel