Një rritje të jashtëzakonshme të numrit të turistëve po regjistron Greqia, duke shpresuar se kjo do të sjellë edhe rritjen e të ardhurave të ekonomisë së saj të rrënuar.

Kriza financiare e vendit, në vitet e fundit, ka ndikuar mbi turizmin, duke mbajtur larg tregjet turistike të nivelit të lartë si Britania dhe Gjermania. Por, tani, ata turistë – të quajtur edhe si turistë tradicionalë – po kthehen, thekson Konfederata e Turizmit grek, që vë në dukje se të paktën 2,8 milionë vizitorë gjermanë dhe mbi 2 milionë britanikë priten të “mbysin” plazhet greke, vetëm në Korrik dhe Gusht.

Nuk janë të paktë edhe ata, që zgjedhin ishujt grekë për t’u martuar, duke zhvilluar madje dhe dasma në grupe, një modë e përhapur shumë te turistët nga Kina.

“Greqia është në modë përsëri, ky është një lajm i mirë. Dëgjon nga të gjithë të huajt se ‘Ne do të shkojmë në Greqi këtë vit’, dhe kjo është me të vërtet një gjë shumë e mirë për vendin dhe ekonominë. Ne shohim një rikthim të tregjeve tona tradicionale: Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Gjermania (ka një rritje me dy shifra), Franca po shkon mirë, Italia gjithashtu”, tha Andreas Andreadis, president i Konfederatës së Turizmit.

Vetëm sivjet, kryeqytetin grek e kanë vizituar deri në këtë periudhë 800,000 turistë më shumë se viti i kaluar. Nëse në vitin 2013 numri i turistëve shkoi në 17,8 milionë, sivjet pritet që të tejkalojë shifrat 19 apo 20 milionë, ndërsa priten mbi 13 mld euro të ardhura nga ky sektor, që në vitet e krizës kishte mbetur pas, për arsye të paqëndrueshmërisë politike, protestave, trazirave dhe grevave.

Shifrat pozitive, sipas operatorëve turistikë, i atribuohen rritjes së publiciteteve dhe përpjekjeve të industrisë së turizmit, pasi qeveria ka ulur koston e krahut të punës, tatimin mbi vlerën e shtuar, në ushqime dhe hotele, ndërsa përpiqet të kontrollojë çmimet.

“Unë mendoj se çmimet janë më të ulta se kudo tjetër në Europë. Ne kemi shkuar edhe në vende si Parisi e Roma, por mendoj se çmimi është i shkëlqyer këtu, mendoj se hotelet janë të mira dhe restorantet të shkëlqyera”, tha David Abramovic, turist amerikan nga Los Angeles.

Gjithashtu, thuhet se turizmi këtë vit do të sigurojë 50,000 vende të reja pune. Analistët financiarë paralajmërojnë se rimëkëmbja e ekonomisë greke, nëpërmjet turizmit, do të mund të vazhdojë me sukses, vetëm nëse ruhet stabiliteti i brendshëm dhe vazhdohet me sukses rruga e vështirë e reformave.

Top Channel