Italia do të jetë ndërmjetëse për përmirësimin e marrëdhenieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kështu deklaroi ministrja e jashtme Federika Mogherini gjatë vizitës në Tiranë, ndërsa për ministrin Ditmir Bushati raportet Shqipëri-Itali duhet të jenë model edhe për marrëdhëniet me Greqinë.

“Do doja këtu të përmendja rolin kyç dhe vendimtar të Shqipërisë përsa i përket stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Për këtë do të kem mundësinë që të flas dhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë ditën e hënë në Beograd dhe shpresoj që të arrijmë të realizojmë edhe një takim tripalësh, mes Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, pikërisht për të çelur këtë dialog të ri mes 3 vendeve dhe për t’i dhënë rëndësi më të madhe rolit, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon”, deklaroi diplomatja italiane.

I pyetur nga Top Channel lidhur më ndërhyrjet e Athinës në punët e brendshme të Shqipërisë rreth reformës administrativo-territoriale, Bushati shprehu vendosmërinë e qeverisë për miratimin e saj.

Po ashtu, ai ka shprehur vullnetin për të adresuar të gjitha çështjet e së shkuarës në frymën e fqinjësisë së mirë: “Marrëdhëniet italo-shqiptare mund të jenë një model që mund të ndiqet nga marrëdhëniet shqiptaro-greke, pavarësisht diferencave, pavarësisht aspekteve të ndryshme historike apo raporteve, qoftë të karakterit shpirtëror që mund të ekzsitojnë mes Shqipërisë dhe Italisë.”

Ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së BE-së, u takua edhe me Presidentin Bujar Nishani.

“Ky vendim konsiderohet vetëm si fillimi i një rruge që do të kërkojë reforma më të thella dhe më të plota, në mënyrë që të përpiqemi të shkurtojmë kohën e integrimit evropian”, tha kreu i shtetit. Nga ana e saj, ministrja Mogherini u shpreh se integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor është një prioritet i presidencës italiane dhe duhet të jetë prioritet për të gjitha presidencat dhe për unionin në vijimësi.

Po ashtu, ministrja Mogherini u takua edhe me kryeparlamentarin Ilir Meta, ku u vlerësua partneriteti strategjik midis dy vendeve. Nga ana e tij, Meta shprehu besimin se Italia do të bëjë përpjekjet maksimale për të mbështetur një lidhje më të fortë të Shqipërisë dhe rajonit me Bashkimin Europian gjatë presidencës 6-mujore.

Gjatë vizitës në Tiranë, Ministra e Punëve të Jashtme të Italisë u takua dhe me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi. Nga ana e tij, Peleshi e njohu ministren Mogherini me punën e bërë në këto 300 ditë nga qeveria dhe me reformat e rëndësishme që po ndërmerren veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe përmirësimit të klimës për bizneset dhe investitorët e huaj.

Top Channel