Rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve kosovarë, në vendet e zonës “Schengen”, ka qenë indikatori kryesor ndikues në vlerësimin negativ, që i ka bërë Komisioni Evropian Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave.

Në raportin e Komisionit Evropian numërohen disa suksese të institucioneve kosovare, por blloku i tre kushteve, që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, mbetet sfidë edhe për më tej.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme e dinë edhe arsyen, që ka ndikuar në rritjen e numrit të azilkërkuesve kosovarë.

Drejtori i Departamentit të Integrimeve Evropiane, në këtë Ministri, ka treguar për Top Channel se, vetëm gjatë verës së vitit të kaluar, mbi 5 mijë kosovarë kanë provuar të dalin në mënyrë jo të rregullt nga Serbia, në Hungari.

“Sa i përket çështjeve të migrimit, kemi pasur një numër të madh të azilkërkuesve vitin e kaluar. Mirëpo, periudha referuese ose krahasuese është viti 2012-2013. Siç e dimë, në vitin 2013 kemi një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket lëvizjes së lirë, dhe kjo e ka lehtësuar lëvizjen e qytetarëve tanë deri në Suboticë, prej nga kanë tentuar të hyjnë në mënyrë jo të rregullt në zonën “Schengen”. Si rezultat i kësaj, kemi një numër shumë të madh të azilkërkuesve në Hungari dhe, në total, gati dyfishim të numrit të azilkërkuesve në vitin 2013”, tha Artan Duraku, drejtori në MPB.

Me gjithë këtë, sipas Durakut, raporti i fundit i Komisionit Evropian ka identifikuar edhe shumë suksese, që ka bërë Ministria e Brendshme.

Kritika për Qeverinë e Kosovës, që nuk po arrin ende t’i përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave, ka dhënë edhe shoqëria civile.

Në Institutin për studime juridike dhe politikë kanë vlerësuar se, autoritetet kosovare nuk duhet të presin shpërblime politike nga Bashkimi Evropian, por duhet të punojnë konkretisht në përmbushjen e kritereve.

“Mendoj që, raporti i fundit i Komisionit Evropian është një tregues, se Komisioni nuk ka ndërmend t’i falë Kosovës asnjë pikë, në notimin e saj për udhërrëfyesin për liberalizim të vizave dhe, me këtë tendencë dhe këtë trend, po dëshmohet se është e pamundur që KE të bindet, që Kosovës t’i hiqen vizat vetëm për faktin që ajo mbetet vendi i vetëm i izoluar ndaj zonës ‘Schengen’”, tha Fisnik Korenica, nga Grupi për studime Juridike dhe Politikë.

Korenica i ka bërë thirrje institucioneve kosovare, që të ndërmarrin hapa konkretë në përmbushjen e kritereve, sepse – sipas tij – vetëm atëherë mund të merren vendime pozitive për liberalizimin e vizave në Bruksel.

Top Channel