Rusia: SHBA, fushatë baltosjeje ndaj nesh

25/07/2014 00:00

Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë nisur një “fushatë baltosjeje” mbi përfshirjen – siç akuzohet – në konfliktin në Ukrainë.

Ministria e Jashtme në Moskë bëri të ditur gjatë së premtes se refuzon “insinuatat publike të pabazuara” nga qeveria amerikane.

Por, Pentagoni ka thënë se beson që lëvizja e sistemeve të artilerisë së kalibrit të rëndë rus, përmes kufirit me Ukrainën, është “i pashmangshëm dhe shumë i afërt”.

Zhvillimi i fundit vjen vetëm pak kohë pasi trupa të tjerë të viktimave të fluturimit MH17, që u rrëzua nga separatistët pro-rusë në Ukrainë, mbërritën në Holandë.

Rebelët në Lindje të Ukrainës akuzohen për aktin ndaj avionit të “Malaysia Airlines”. SHBA-të thonë se rebelët kanë qëlluar avionin e pasagjerëve me një sistem raketor tokë-ajër “SA-11 Buk”, me të cilin janë furnizuar nga Rusia, por ndoshta duke gabuar shënjestër.

Rusia ka mohuar vazhdimisht të kenë futur armë të rënda në Ukrainë, por liderët e rebelëve kanë llogari kontradiktore nëse kanë pasur ose jo një sistem Buk, në momentin kur aeroplani është rrëzuar.

Pentagoni bëri të ditur të premten se kishte prova, që sugjerojnë se Rusia po përgatitet të transferojë më shumë sisteme raketa-hedhëse te rebelët pro-rusë në Lindje të Ukrainës.

“Kemi të dhëna se rusët synojnë t’u japin sisteme raketore akoma më të rënda dhe më të sofistikuara, në të ardhmen shumë të afërt”, tha kolonel Steve Warren, një nga zëdhënësit e Pentagonit.

Top Channel