SHBA do të dëbojë fëmijët klandestinë

26/07/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i kthejnë mbrapsht në vendet e origjinës fëmijët emigrantë. Në një takim me liderë të Amerikës Qendrore, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Barak Obama, kujtoi se ata ndajnë përgjegjësinë për çështjen e fluksit të të miturve që hyjnë në SHBA në mënyrë të paligjshme.

Presidentët e Guatemalës, Hondurasit dhe El Salvadorit u takuan me Obamën në Uashington të premten për të diskutuar mbi krizën në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, ku që prej muajit tetor janë ndaluar më shumë se 50.000 fëmijë, pjesa dërrmuese të pashoqëruar nga të rritur.

“Të gjithë e pranojmë se kemi një përgjegjësi të përbashket për zgjidhjen e këtij problemi. Duhen gjetur mënyrat që fëmijët të frenohen pa e nisur një rrugëtim të tillë. Të miturit emigrantë që nuk kanë arsye të vlefshme për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara, do të dërgohen në shtëpitë e tyre. Ndoshta do të ketë disa raste kur fëmijët mund të kërkojnë status refugjatësh, por ato do të jenë të pakta”, tha Obama.

Shumica e fëmijëve të ndaluar në kufi ishin nga El Salvadori, Guatemala apo Hondurasi. Zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar udhëheqësve të rajonit të bëjnë më tepër perpjekje për uljen e numrit të emigrantëve të mitur të paligjshëm, një problem gjithmonë e më shqetësues ky për Shtetet e Bashkuara. Përpara bisedës me Obamën, presidenti i Guatemalës, Otto Perez dhe ai i Hondurasit Juan Orlando Hernandez u takuan me anëtarë të Kongresit.

Lideres së demokratëve në Kongres, Nancy Pelosi, Perez i tha se kriza e fëmijëve emigrantë është rezultat i krimit dhe varfërisë në Amerikën Qendrore, por edhe i mosfunksionimit të sistemit ligjor të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel