OKB: ISIS-i ka bërë krime lufte në Siri

26/07/2014 00:00

Me vëmendjen e përqendruar tek konflikti në Gaza, situata në Irak u la disi në hije, por OKB-ja i është rikthyer çështjes së ISIS-it me pohimet se luftëtarët e shtetit islamik në Irak e Levant mund t’i shtohen listës së të dyshuarve për krime lufte në Siri. 

Janë kandidatë shumë të mirë për këtë listë, tha kreu i hetimit të Kombeve të Bashkuara, Paulo Pinheiro, duke përmendur ekzekutimet publike dhe kryqëzimet e njerëzve që i faturohen grupit militant. Kjo ishte hera e parë që përmendej ekzistenca e një liste të tillë, në të cilën do të përfshihen persona nga të dy krahët e konfliktit 3-vjeçar të Sirisë.

“Mund t’ju siguroj se po mbledhim informacion mbi abuzime të kryera nga të dyja palët, përfshirë ISIS-in dhe grupe të tjera të armatosura. Nuk jam në pozitat që të them se kush do ta fitojë Kupën e Botës për shkeljen e të drejtave të njeriut. Në të dy krahët po bëhen gjëra të tmerrshme dhe do të vazhdojnë kështu nëse këta njerëz nuk do të vihen përpara përgjegjësisë”, tha Pinheiro.

Militantët e ISIS-it tashmë kontrollojnë pjesë të gjera territori në veri të Sirisë e në Irakun fqinj e ditët e fundit janë përfshirë në luftime të ashpra me forcat qeveritare siriane në provincën e Raqqa-së. Me lëvizjen islamike mësohet të jenë bashkuar edhe të tjerë rebelë siriane që po dezertojnë nga grupet e tyre.

Egërsia e luftëtarëve të ISIS-it është dëshmuar në plot raste edhe me pamje filmike, ndërsa së fundi publikuan edhe foto të ushtarëve të kapur rob pas betejës, të cilëve u prisnin kokat. Episode të tmerrshme që ndihmojnë përhapjen e terrorit të shtetit islamik në Irak dhe Levant.

Që nga fillimi i rebelimit kundër presidentit Bashar Al Assad marsin e vitit 2011, 170.000 vetë janë vrarë në Siri, një e treta e tyre civilë. Komisioni i hetimit i OKB-së për këtë vend u ngrit shtatorin e po atij viti me qëllimin të mbledhë dëshmi, prova, fotografi satelitore e informacione të tjera që dokumentojnë shkeljen e të drejtave të njeriut përgjatë gjithë konfliktit.

Top Channel