Italia: Mos humbni kohë për negociatat

26/07/2014 00:00

Ministrja e Jashtme italiane që vizitoi Shqipërinë, Federica Mogherini deklaron se Shqipëria, pas marrjes së statusit, të nxitojë me reformat për të mos humbur kohë me hapjen e bisedimeve.

Në një intervistë për Top Channel, ajo sugjeron arritjen e dialogut politik dhe realizimin e refomave së pari si nevojë për popullin e pastaj si kërkesa nga Brukseli.

Top Channel: Zonja ministre, ju vini për herë të parë në Shqipëri në cilësinë e përfaqësues së diplomacisë italiane dhe e gjeni vendin tonë me statusin e vendit kandidat për në BE. Cili do të jetë kontributi i Italisë, e njohur si avokate e Shqipërisë në rrugën integruese dhe sa besoni se do t’i duhet Shqipërisë për të hapur negociatat?

Federica Mogherini: Si fillim jam shumë e kënaqur që Shqipërisë iu njoh statusi i vendit kandidat. Është një rezultat i shkëlqyer jo vetëm për vendin tuaj, por edhe për vendin tonë. Sepse kemi punuar së bashku, kemi besuar së bashku dhe është vërtet një fillim i mirë. Tani duhet të punojmë për pjesën tjetër. Shpresoj që hapja e negociatave të mos marrë një kohë të gjatë. Ka ende punë për t’u bërë, besoj se Shqipëria është gati për të kryer këto detyrime, si qeveria ashtu edhe populli shqiptar. Dhe Italia padyshim që është gati të ndihmojë Shqipërisë në këtë rrugëtim.

Top Channel: I shihni larg negociatat?

Federica Mogherini: Kjo nuk varet nga Italia, varet shumë nga Shqipëria, nga shpejtësia dhe nga vendosmëria me të cilën do të dijë të ecë përpara në procesin e reformave. Nga vendosmëria që vë re tek qeveria shqiptare dhe besoj se do të ecet shpejt përpara. Shpresoj të ecet kështu. Do të jetë një vendim që do të marrim të gjithë bashkë në nivel europian, por ju siguroj se Italia, sikundër e thatë dhe ju, do të vijojë të jetë një avokate për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, siç ka qenë gjithmonë.

Top Channel:
A e shihni qeverinë e re të Tiranës aq ambicioze dhe të vendosur për këto reforma?

Federica Mogherini:
Po. Besoj se qeveria e Edi Ramës është e angazhuar fuqishëm në rrugën e reformave. Vë re një vendosmëri dhe një dëshirë për ndryshim. Shoh seriziotetin për të ecur përpara me kurajo dhe besoj se është rast i mirë për Shqipërinë që të mund të realizojë gjithçka duhet, sepse ka një potencial të madh keëu, si nga pikëpamja shoqërore, ashtu dhe nga ajo ekonomike, institucionale dhe ajo që shoh është një qeveri e gatshme për të ndërmarrë hapat e nevojshëm.

Top Channel: Ashtu si qeveria Renzi në Itali, e njohur si reformatore, edhe qeveria e Tiranës i ka vënë vetes këtë mision. Por një nga reformat më të vështira është ajo në drejtësi. A do të jetë konstant presioni ndaj qeverisë shqiptare për ta çuar deri në fund këtë reformë nga ana e vendeve anëtare të BE?

Federica Mogherini: Bashkimi Europian, me njohjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë ka përcaktuar dhe një sërë përparësish në disa sektorë, për të cilët nevojiten reforma të thella. Jam në dijeni të faktit se ndër përparësitë e qeverisë shqiptare është realizimi i këtyre reformave, kryesisht ajo në drejtësi apo për shtetin e së drejtës, apo realizimi i të tjera reformave. Besoj se ekziston vendosmëria e duhur, inkurajimi gjithashtu. Dihet se nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Italia gjitahshtu mbart mbi vete një histori reformash e ndonjëherë dhe të reformave të munguara, për të cilat sigurisht që çmimi paguhet më vonë. Ndaj edhe ne, si nje vend i angazhuar në kryerjen e reformave, nuk na mbetet tjetër veçse t’i shprehim qeverisë shqiptare jo vetëm urimet më të mira, por dhe inkurajimin për të vijuar me të njëjtën vendosmëri, sikurse e ka dëshmuar gjatë këtyre muajve të fundit.

Top Channel: E shihni operacionin e nderhyrjes në Lazarat si një pikënisje të mirë për luftën ndaj narkotrafikut në Shqipëri, që prek edhe Italinë si vend fqinj?

Federica Mogherini: Ishte një operacion shumë i rëndësishëm e tejet pozitiv. E vlerësuam si të shkëlqyer, çka dëshmoi pikërisht këtë: angazhimin e qeverisë jo vetëm në planin teorik, por dhe në atë praktik, për realizimin e gjithçka që nevojitej. E vlerësuam shumë.

Top Channel: Zonja ministre, ajo që e ka penalizuar Shqipërinë shpesh është mungesa e dialogut politik. Cili është mesazhi që i latë politikanëve shqiptarë në takimet që patët këtu në Tiranë. A e ka fituar politika shqiptare pjekurinë e duhur për të kuptuar nevojën e bashkëpunimit?

Federica Mogherini:
Duhet të jetë e qartë se duhet të bëhen reforma për të hyrë në BE. Por është po ashtu e nevojshme të jetë e qartë se duhet të bëhen reforma në të mirë të vendit dhe qytetarëve, në të mirë të përmirësimit të jetesës së tyre. Si italiane e di shumë mirë sesa i vështirë është dialogu politik. Edhe ne kemi pasur histori dhe episode kur debatet politike kanë qenë të ndezura dhe me kundërshti të forta. Por është në interesin e të gjithëve, qeverisë dhe opozitës, për të punuar bashkë për reformat në të mirë të qytetarëve. Nganjëherë bëjmë gabimin që ia adresojmë BE-së, Brukselit disa gjëra. Në fakt, unë besoj se janë qytetarët tanë ata që na kërkojnë të punojmë së bashku për disa reforma, në radhë të parë për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, ekonomisë së tyre, institucioneve. Pra, në këtë kuptim, dialogu politik është një detyrim institucional.

Top Channel:
Flasim pak për investimet italiane në Shqipëri. Italia është e pranishme me investime strategjike në Serbi, por në Shqipëri, ato që quhen investime të mëdha mungojnë. Ka një arsye për këtë?

Federica Mogherini: Para së gjithash kemi një prani të konsiderueshme e tejet pozitive të sipërmarrjeve të vogla e të mesme italiane në Shqipëri. Përsa i përket numrit të sipërmarrjeve të këtyre kategorive, renditemi në vendin e parë. Besoj se kjo është një forcë e madhe. Italia mbështetet kryesisht në këtë forcë. Besoj se kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëhet më shumë, si për rrirtjen e mëtejshme të pranisë së sipërmarrjeve të vogla e të mesme, ashtu edhe për përthithjen e investimeve të mëdha. Besoj se ekziston dhe mund të ekzistojë në këtë drejtim një angazhim më i madh jo vetëm i sistemit italian, por dhe atij shqiptar për të patur siguri të cilat do të bëjnë të mundur realizimin e investimeve më të mëdha.

Top Channel: Siguri në sistemin e së drejtës?

Federica Mogherini: Siguri në sistemin e së drejtës, të reformave për të cilat folëm pak më parë. Ndaj, sikurse u shpreha dhe më herët, nuk është vetëm Europa që kërkon diçka, është një proces i përbashkët në përcaktimin e asaj çka nevojitet për të përmirësuar kushtet e vendit. Besoj se duke ecur përpara, sikurse po bën qeveria me procesin e reformave, do të përmirësohet ndjeshëm prania e investimeve të huaja, veçanërisht të atyre italiane, që duhet thënë se janë të shumta në numër dhe dëshiroj të theksoj se janë shumë të kënaqura me atë që gjejnë këtu.

Top Channel:
Ju lançuat në Tiranë iniciativën e një takimi trepalësh në nivelin e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë. Kur do të bëhet ky takim dhe me cilin synim është ndërmarrë kjo nismë nga ju?

Federica Mogherini: Sikurse me të drejtë e përmendët dhe ju, Italia ka marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë, e njëkohësisht ka marrëdhënie të ngushta edhe me Serbinë. Jemi të mendimit se historikisht kemi luajtur dhe mund të luajmë një rol lehtësues në dialog, dialog i cili ka nisur tashmë, por që besoj se mund të forcohet më tej. Pata rastin të flas për këtë çështje me ministrin e Jashtëm shqiptar, diten e hënë do të jem në Beograd e do të kem rastin të diskutoj për këtë dhe me homologun tim serb. Pas ditës së hënë mendoj, dhe shpresoj, se mund të punojmë së bashku për përcaktimin e një date brenda pesë muajve të ardhshëm, gjatë kryesimit italian të Këshillit të Bashkimit Europian.

Top Channel