Basha: Rama po zhbën demokracinë

26/07/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me ministren e Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, e cila ndodhet në një tur vizitash në rajon, në kuadër të marrjes nga Roma zyrtare të Presidencës së Bashkimit Europian.

Gjatë takimit Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që ka treguar Italia mike në këto 23 vite për vendin tonë, në çdo fushë e në çdo drejtim, ndërkohë që denoncoi edhe atë që e quajti zhbërje të demokracisë nga koalicioni qeverisës.

“Partia Demokratike e konsideron marrjen e statusit si një mundësi të madhe për Shqipërinë dhe është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë drejtim. Por situata politike në vend ka degjeneruar në parametrat e një krize të gjithanshme për shkak të zhbërjes nga dyshja Rama-Meta të standarteve demokratike dhe sundimit të ligjit”, theksoi kreu i opozitës.

Në këtë kuadër, Basha u ndal në rastet konkrete të kapjes së institucioneve dhe ndërprerjes së paligjshme të mandateve ligjore e kushtetuese si për kreun e ILDKP, AMA, INSTAT dhe së fundmi dhe Shkollën e Magjistraturës.

“Duke injoruar mesazhin e qartë dhe apelin e Bashkimit Europian se për reformën në drejtësi duhet gjithpërfshirje, konsultim dhe trasnparencë, qeveria tentoi të kalonte në Parlament ligjet që kanë për qëlllim kapjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe sistemit gjyqësor në tërësi, si dhe votoi ligjin me të cilin pezullon për një vit dhe kap Shkollën e Magjistraturës”, denoncoi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike i bëri të ditur ministres së Jashtme italiane se sfiduesja më e madhe e ligjit në vend është vetë qeveria, e cila nuk respekton dhe nuk zbaton vendimin e gjykatave, duke nisur nga ato të Gjykatës Kushtetuese, si në rastin e ligjit për nëpunësin civil, për kompetencat e INUK, për komisionet hetimore parlamentare dhe qindra vendime të tjera të gjykatave të vendit.

Basha theksoi edhe faktin se, në nivele të ndryshme të administratës janë tërhequr njerëz me të kaluar apo të tashme të lidhur me botën e krimit.

Top Channel