Duke kërkuar shpëtimin tek Zoti

26/07/2014 00:00

Brandi Pjetri, 24 vjeç, u arrestua për vjedhjen e një celulari pak muaj më parë. Kur u përball me jetën e burgut ai vendosi të bëhej një njeri më i mirë, e për këtë është kthyer në një besimtar mysliman që ndjek ritet nga qelia e burgut 302.

Sikurse 49 të paraburgosur në këtë institucion, Brandi ka agjeruar gjatë muajit të Ramazanit e për këtë institucioni 302 u shtron iftarin rregullisht të dënuarve. Brandi nga ana e tij është lutur gjatë agjerimit edhe që gjyqi i tij të mos zvarritet dhe që gjykata të jetë e drejtë me të.

“I lutem Zotit të na lehtësojë dënimin, të na lirojë sa më shpejt dhe të jem pranë familjes. I lutem edhe që të kem një proces të drejtë”, thotë 24-vjeçari.

Edhe 29-vjeçari Marin Tufa e lidh dëshirën e tij për t’u mëshiruar jo vetëm nga Zoti, por edhe gjykata. “Pa tjetër që jam penduar”, thotë ai.

Në të gjitha burgjet në vend agjerojnë 458 të burgosur, një rit ky që shihet nga zyrtarët e sistemit penitenciar edhe si element integrues.

“Në gjithë sistemin janë 458 të dënuar që agjerojnë dhe ne u kemi krijuar mundësitë për të praktikuar muajin e Ramazanit dhe agjerimin”, deklaron Artur Zoto, drejtor i përgjithshëm i burgjeve.

Top Channel