Prespa ndotet nga ujërat e zeza

26/07/2014 00:00

Liqeni i Prespës ditë pas dite po shndërrohet në depozitë grumbullimi të ndotjeve që derdhen prej vitesh atje. Mungesa e kanalizimeve për ujërat e zeza në shumë prej fshatrave të komunës Pustec ka bërë që banorët të gjejnë si zgjidhje shkarkimin e tyre në ujin e liqenit, pavarësisht ndotjes dhe dëmit që shkaktohet.

Ata tregojnë se ujërat vërshojnë përmes fshatit në liqen, ndërsa i tremben ndotjes. “Ca kanalizime që ishin hapur më përpara u mbyllën. Kanalet u prishën nga rruga. Ujërat në fshat kalojnë në mes të rrugës dhe shkojnë në liqen”, thotë një prej tyre.

Komuna Pustec, një perlë e relievit dhe zonë turistike, përballë kësaj ndotjeje ngre shqetësimin se përveç banorëve, të cilët janë të ekspozuar ndaj një ndotjeje të tillë, kërcënohet edhe turizmi. Kanalizimet mungojnë pasi nuk ka investime dhe financime, çka ka bërë që projektet të mbeten në dosje.

“Ndotja e liqenit është shumë problematike. Vetëm dy fshatra kanë kanalizime, të tjerat jo dhe ujërat e zeza derdhen në liqen, duke shkaktuar një ndotje shumë të madhe”, deklaron Edmond Themelko, zyrtar i komunës.

Përballë këtij alarmi, prefekti i Korçës Ardit Konomi ka thirrur një mbledhje me aktorët përkatës për të gjetur një zgjidhje të problemit dhe për të mos lejuar agravimin e mëtejshëm të situatës.

“Ne kemi dy basenet e Ohrit dhe Prespës, që i kalojnë rëndësitë kombëtare. Atje janë identifikuar probleme të mëdha mjedisore, por edhe më të mëdha pasi kalojnë këtë problem, duke ndikuar në turizëm dhe në potencialet ekonomike”, thotë Konomi.

Problemi i mungesës së kanalizimeve, përveç komunës Pustec ku kërcënohet turizmi, është një shqetësim edhe për shumë fshatra të tjera të rajonit jug-lindor.

Top Channel