Gaza, mbi 1 mijë viktima; zgjatet armëpushimi

26/07/2014 00:00

Numri i të vdekurve në Gaza ka kaluar 1 mijë, 19 ditë pasi Izraeli nisi ofensivën kundër militantëve të Hamasit. Lajmin e bëjnë të ditur burime mjekësore palestineze.

Shifra publikohet teksa është në fuqi një armëpushim 12-orësh, gjatë të cilit banorët e Gazës kanë mbledhur furnizimet jetike dhe kanë nxjerrë trupat e të afërmve nga gërmadhat.

Ndërkohë, një zëdhënës ushtarak izraelit ka bërë të ditur se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka rënë dakord për të zgjatur armëpushimin me 4 orë, që shkon kështu deri në mesnatë me orën lokale.

Autoritetet në Gaza deklarojnë ndërkohë se mbi 100 trupa janë nxjerrë nga rrënojat e ndërtesave të bombarduara gjatë uljes së armëve, që nisi në orën 08:00 me orën lokale. Ndërkohë, rreth 5.870 palestinezë të tjerë kanë mbetur të plagosur nga luftimet.

Ditën e shtunë në Paris u mbajt një takim ndërkombëtar mbi situatën, prej nga u bë thirrje për një armëpushim më të gjatë. Nga ana tjetër, të paktën 42 izraelitë janë vrarë që nga nisja e konfliktit më 8 korrik.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit deklarojnë se tre ushtarë mbetën të vrarë gjatë luftimeve në orët e natës, duke e çuar numrin e ushtarakëve të vrarë në 40, të cilëve u bashkohen edhe dy civilë.

Ushtria izraelite ka deklaruar se do të vazhdojë të “lokalizojë dhe neutralizojë” tunelet e Hamasit gjatë armëpushimit.

Izraeli nisi ofensivën e tij ajrore me argumentin e ndaljes së militantëve të lëvizjes islamike që qëllojnë raketa nga Gaza në Izrael.

Gjithashtu, më 18 korrik ai nisi edhe një ofensivë tokësore, me pretendimin se, është e nevojshme për të shkatërruar tunelet e hapura nga militantët për t’u infiltruar në Izrael.

Top Channel