SHBA evakuojnë ambasadën në Libi

26/07/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara deklarojnë se kanë evakuuar përkohësisht stafin diplomatik nga kryeqyteti i Libisë, Tripoli, për arsye sigurie.

Stafi, ku bëjnë pjesë edhe tre marinsa përgjegjës për garancinë e ambasadës, është transferuar në Tunizi për shkak të dhunës së vazhdueshme nga luftimeve mes milicive.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se për stafin ekzistonte një “rrezik real”, si pasojë e luftimeve të ashpra mes milicive rivalë në kryeqytet, sidomos në zonën e aeroportit.

Libia është përfshirë nga destabiliteti që prej kryengritjeve të vitit 2011, që çuan në rrëzimin e liderit Muammar Gaddafi, që qeveriste vendin prej disa dekadash.

E mbetur pa ushtri, qeveria qëndrore e Libisë po humbet gjithmonë e më shumë kontrollin në vend kundrejt milicive rebele dhe të plotëfuqishme.

Ambasada amerikane në Tripoli ka vepruar me staf të reduktuar, ndërsa këtë herë stafi u transferua në Tunizi, në orët e para të së shtunës.

Ushtria amerikane deklaroi se ka asistuar transferimin e stafit duke përdorur avionë ushtarakë të tipit F-16 dhe MV-22 Osprey. Në një komunikatë thuhet se operacioni që zgjati 5 orë përfundoi pa asnjë incident.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf deklaroi se tërheqja tregon shqetësimin e administratës Obama për rrezikun që u kanoset diplomatëve amerikanë në botë.

Ajo tha se luftimet mes grupeve të armatosura në Tripoli po i afroheshin shumë ambasadës amerikanë në kryeqytetin libian dhe shtoi se DASH u ka bërë thirrje edhe amerikanëve të thjeshtë të mos udhëtojnë në Libi.

Top Channel