Ligji anti-duhan është miratuar tashmë në Paralment dhe pritet që pas publikimit në fletoret zyrtare, pronarët e lokaleve apo ambienteve të tjera publike të mbyllura të marrin masat për respektimin e tij.

Autoritetet e shëndetësisë shprehen të bindura jo vetëm nga ndryshimet e bëra, por dhe nga serioziteti i kësaj nisme, se ligji do të gjejë zbatim dhe nuk do të tolerohet askush. Zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj thekson se është përmirësuar gjithçka ku ligji i mëparshëm dështonte.

“Nëse jepet mesazhi se ligji është i barabartë për të gjithë, atëherë të gjithë do ta zbatojnë. Ne jemi fokusuar tek pikat ku ka dështuar ligji i mëparshëm dhe tashmë do të kemi një trupë inspektuese që do merret gjithë kohës me inspektimin. Kjo na jep më shumë shanse që të ketë konsistencë në monitorimin e zbatimit të ligjit. Risi është edhe fakti se gjoba është ndarë në disa nivele: për subjektin e tatueshëm, administratorin dhe individin duhanpirës”, deklaron Rrjepaj.

Me amendimet e bëra gjobat janë rritur dhe përveç pronarit të lokalit, i cili gjobitet me 300 mijë lekë, administratorit të ambienteve të përbashkëta apo institucioneve publike këtë radhë do të gjobitet edhe klienti në masën 5 mijë lekë.

Sipas zv.ministrit Rjepaj, çdo gobë e vënë do të vilet sepse është titull ekzekutiv dhe përveç subjekteve të tatueshme që nuk mund të shpëtojnë prej saj edhe individi që shkel ligjin nuk do të mund ta anashkalojë atë. Individi do të gjobitet në bazë të kartës së identitetit dhe në rast të mungesës së saj, policia do ta shoqërojë atë.

“Ky ligj do të jetë i zbatueshëm në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Personat kanë kartën e identitetit, do merren të dhënat dhe do bëhet gjobitja e tyre. Do ndiqen rrugët ligjore për ta bërë këtë, pasi nëse janë në punë do identifikohen dhe do t’u mbahet nga rroga, nëse janë të papunë nga skema e pensioneve, etj. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë”, nënvizon Rrjepaj.

Në fletën e gjobës do të jetë dhe numru i llogarisë ku mund të derdhen paratë për gjobën e vendosur. Por përveç zbatimit të ligjit nga pronarë të lokaleve apo klientët e tyre do të monitorohen edhe inspektorët, të cilët vite më parë e shndërruan zbatimin e ligjit si biznes të tyrin, duke marrë para nën dorë për të mos vënë gjobën.

Top Channel