Mbështetja e prodhimit bujqësor

26/07/2014 00:00

Sipas qeverisë, skema e re e subvencioneve në bujqësi që mbështet në masën 15% produktin përfundimtar pas dorëzimit në pikat e grumbullimit, synon formalizimin e sektorit dhe krijimin e fermave të përbashkëta.

Por, disa ekspertë thonë se në kushtet kur shkalla e informalitetit është e lartë ndërsa pjesa më e madhe e fermave janë familjare, kufizimet në skemë janë përjashtuese për shumë prej tyre.

“Për të përfituar duhet të kesh 3 deri në 5 ton, 70-80% e fermave në vend janë të vogla, ka shumëllojshmëri kulturash të mbjella. Në këto kushte, prodhimi nuk shkon më shumë se 3 ton. Pra, vetëvetiu skema është përjashtuese, ndërsa për të mëdhenjtë shkon deri në 5 ton, sërish e ke kufizuar të dytin”, shpjegon Enver Ferizaj nga Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit.

Kjo, sipas Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar mund të krijojë hapësira edhe për abuzime. “I takon tregtarit që nga 2.5 ton ta çojë në 3 ton etj. Prandaj, duhet që skemat të jenë të kontrollueshme”, nënvizon Ferizaj.

Duke iu referuar skemave të mbështetjes për agropërpunimin, Këshilli i Agrobiznesit thotë se ky fond shkon për kompanitë e mëdha që arrijnë ta vetëfinancojnë fillimisht projektin dhe jo për fermerët e vegjël, të mesëm apo agropërpunuesit.

Por, ministri Panariti thotë se pavarësisht orientimit drejt bizneseve konkuruese, qeveria nuk ka lënë jashtë vëmendjes fermerët e vegjël.

“Jemi të orientuar drejt formalizimit dhe nxisim me të drejtë një sipërfaqe të caktuar ferme që është konkuruese dhe prodhon me kosto të ulët, por nuk është e vërtetë që janë vëmendjes tonë fermerët e vegjël. Mbështesim shtimin e bagëtive të imëta duke marrë parasysh kushtet e vështira në të cilat jëtojnë fshatarët në ato zona”, ka thënë Panariti.

Top Channel