Udhëheqësit kosovarë kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë të prag të festës së Fitër Bajramit.

Me anë të telegrameve të urimit liderët kosovarë kanë uruar që paqja dhe solidariteti të mbizotërojë në çdo familje shqiptare.

Në telegramin e saj presidentja Atifete Jahjaga ka uruar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava  dhe të gjithë besimtarët myslimanë.

“Dita e Bajramit të Madh përcjell mesazhin për sakrificë, zemërgjerësi, dashuri  dhe solidaritet me të gjithë njerëzit në nevojë. Uroj që në secilën familje të ketë shëndet, begati, mirëqenie, harmoni dhe gëzim. Në këtë ditë feste, më shumë se kurdoherë duhet të ndalemi e të reflektojmë për punën tonë, për angazhimet dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, familjes, miqve dhe shoqërisë”, thuhet në telegramin e Jahjagës.

Ndërkohë Kryeministri Hashim Thaci ka theksuar se në emër të Qeverisë të gjithë besimtarëve të besimit islamë të Kosovës t’ua uroj festën e Fitër Bajramit.

“Fitër Bajrami vjen pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të agjërimi, ku besimtarët u sprovuan me thellimin e besimit, disiplinën shpirtërore dhe fizike, duke kryer një obligim fetar të rëndësishëm të fesë islame. Qytetarët tanë të besimit islam shquhen për kultivim të vlerave humane, për urtësi, shpirt paqësor, tolerant dhe respekt për njerëzit e besimeve të ndryshme.”, thuhet ndër të tjera në urimin e Kryeministrit Thaçi.

Kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj, me rastin e festimit të Bajramit të Madh, ka marrë një telegram urimi nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Në telegram, Sekretari Kerry, duke iu referuar përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, i uron të gjithë myslimanëve festën e Bajramit.

Kerry po ashtu thekson se shumë bashkëkombës të tij amerikanë, do t’iu bashkohen myslimanëve në mbarë globin për të festuar përmbylljen e muajit të shenjtë, që simbolizon bamirësinë, komunitetin dhe vlerat e përbashkëta të njerëzimit.

Edhe kryetari i AAK, Ramush Haradinaj ka uruar myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët.

“Kam kënaqësinë që t’ju përcjell urimet më të përzemërta në prag të Fitër Bajramit, juve personalisht dhe të gjithë kolegëve tuaj. Kjo festë pas shumë ditës agjërimi, përkushtimi dhe falenderimi të besimtarëve ndaj krijuesit, duke ngjallur mes njerëzve ndjenjën fisnike të mbështetjes dhe të solideralitetit”, thuhet në telegramin e Haradinajt.

“Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustfa i ka uruar festën e Bajramit të Madh të gjithë besimtarëve myslimanë. “Në emrin e LDK-së dhe në emrin tim dua t’ju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste, duke ju uruar paqe, shëndet dhe begati në familjet tuaja”, thuhet në mesazhin e Mustafës.

Ndërkohë edhe kryesia e Nismës për Kosovën, të gjithë qytetarëve të besimit islam, i ka uruar fetën e Fitër Bajramit. “Le të jetë kjo ditë e mirësisë, paqes, tolerancës, solidaritetit dhe dashurisë ndër njerëzore. Kryesia e Nismës për Kosovën, të gjithë qytetarëve të besimit islam, i uron shëndet dhe suksese në familjet e tyre”.  

Top Channel