Mijëra besimtarë myslimanë kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin mëngjesin e kësaj të hëne që shënon dhe Fitër Bajramin për besimin islam.

Pasi kanë kryer ritin e agjërimit për 30 ditë me radhë duke ndjekur vaftet respektive të muajit të Ramazanit, siç e quajnë ata besimtarët i luten Zotit t’u pranojë këtë sakrificë për pastrimin e shpirtit nga e keqja. Por, lutjet e tyre në këtë ditë Bajrami kanë qenë edhe për ndërtimin e xhamisë së kryeqytetit, çka sipas tyre do të çonte në vend dinjitetin e çdo myslimani shqiptar.

Prej vitesh besimtarët myslimanë në Tiranë i falen Zotit në bulevard, ndaj kërkojnë zgjidhje të menjëhershme që ashtu si besimtarët e tjerë në këtë vend, katolikë dhe ortodoksë të kenë selinë e tyre të shenjtë ku të kryejnë ritet fetare në raste festash si kjo dhe jo më në rrugë.

Me besimin në Zot se kjo dëshirë do t’u plotësohet, besimtarët kanë përshëndetur njëri-tjetrin duke uruar paqe dhe mirësi në familjet e tyre. Ndërkohë, festa vijon në shtëpitë e gjithësecilit me drekën familjare ku ftohen të afërm dhe miq për të ndarë bashkë gatimet tradicionale të shumëllojshme karakteristike të kësaj feste që për myslimanët konsiderohet si më e madhja në vit.

Besimtarët myslimanë nisin ceremonitë e ditës së shenjtë

Në të gjitha qytetet e vendit besimtarët myslimanë shqiptarë kanë kryer ceremonitë e ditës së shënuar të kalendarit islamik, festës së Fitër Bajramit.

Kjo festë vjen pas muajit të Ramazanit, një prej pesë shtyllave të Islamit, ku besimtarët agjëruan duke ju përkushtuar më shumë adhurimit dhe devotshmërisë ndaj zotit. Para kësaj dite, të gjithë besimtarët myslimanë shpërndajnë ndihmë dhe solidarizohen me të varfërit për ta festuar së bashku këtë festë.

Ashtu siç është bërë çdo vit, edhe sot të gjithë besimtarët myslimanë janë mbledhur pranë xhamive dhe në sheshet e qyteteve në të gjithë vendin në ceremonitë kushtuar kësaj dite.

FOTO GALERI
1/1
Festohet Fitër Bajramit

Top Channel