Arvizu: Kompromis për reformën

28/07/2014 00:00

Për ambasadorin amerikan Alexander Arvizu, vendi i të cilit ka mbështetur financiarisht dhe me ekspertë reformën territoriale, qeveria ka bërë një punë të mirë me konsultimet për këtë çështje.

Duke e vlerësuar këtë javë, si një javë interesante për zhvillimet brenda mazhorancës, por pa komentuar kundërshtimin e disa deputetëve brenda saj, përfaqësuesi i Uashingtonit në Tiranë dha mesazhin se reforma është në të mirë të vendit, ndaj kërkohet pak kompromis nga të gjithë.

“Mendoj se do të jetë një javë shumë interesante. Kjo është e natyrshme, por për më gjatë mund të pyesni kreun e Kuvendit.

Unë mendoj se qeveria ka bërë një punë të mirë përsa i përket procesit të konsultimeve, por qartazi ndërsa afrohet momenti për të marrë një vendim, duhet theksuar se ky vendim do të ketë një impakt të madh.

Unë mendoj se janë dy çështje të rëndësishme për t’u mbajtur parasysh: e para është që duhen marrë në konsideratë shqetësimet e zonave të ndryshme; por e dyta, kjo është një reformë nga e cila do të përfitojë i gjithë vendi dhe të gjithë duhet të gjejnë gjuhën e kompromisit, të gjithë pa përjashtim”, deklaroi Arvizu.

Top Channel