Vazhdojnë hetimet ndaj Messi-t

28/07/2014 00:00

Një gjykatë spanjolle vendosi të vazhdojë më tej në hetimin e ngritur kundër Lionel Messi për evazion fiskal, pavarësisht rekomandimit të prokurorit të çështjes për rrëzimin të akuzave.

Në qershor, prokurori deklaroi se ishte i ati i asit argjentinas personi përgjegjës për financat e familjes dhe jo katër herë fituesi i Topit të Artë.

Megjithatë, gjykata në Barcelonë vlerësoi të ndjekë çështjen me arsyetimin se Messi mund të ketë qenë në dijeni dhe të ketë miratuar krijimin e një sërë kompanish fantazmë në internet të cilat dyshohet se janë përdorur për t’iu shmangur detyrimeve tatimore që rridhnin nga të ardhurat e siguruara për të drejtën e imazhit.

Prokurori kishte kërkuar vijimin e hetimit vetëm ndaj babait të futbollistit argjentinas, por në fund vendimi i gjykatësit ishte i kundërt. Ai kërkoi vazhdimin e hetimit edhe ndaj Messi-t.

Skandali shpërtheu vitin e kaluar kur Messi dhe i ati i tij u akuzuan se kishin mashtruar autoritetet tatimore spanjolle me një shumë që në total kapte 4 milion euro nga viti 2006 deri në vitin 2009. Si Messi ashtu dhe i ati i tij i mohojnë akuzat.

Top Channel