Nisma globale për viktimat e luftës

28/07/2014 00:00

Shqipëria i është bashkuar nismës globale për përkujtimin e viktimave të Luftës së Parë Botërore, si një moment reflektimi kundër luftës dhe në mbështetje të një Evrope të paqtë.

Në Durrës, ceremonia e mbajtur me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore, me nismë të Presidencës italiane të BE, u organizua nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me bashkinë e qytetit.

Në fjalën e rastit, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako nderoi kujtimin e atdhetarëve shqiptarë që iu kundërvunë interesave copëtuese të ushtrive të huaja.

“Kjo luftë shqiptarët i gjeti të copëtuar. Ishte e vështirë të dije kush ushtri ishte për të mbrojtur vendin e kush jo. Shqiptarët nuk vonuan të bashkoheshin me ato ushtri që kishin të njëjtat qëllime. Ndaj ne nderojmë sot ata shqiptarë që iu kundërvunë interesave coptuese të ushtrive të huaja”, deklaroi Dako.

Ndërsa zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni theksoi se ceremonia përcjell mesazhin e paqes dhe pajtimit të thellë, një parakusht ky për integrimin real në Evropë.

“Shqipëria në këtë ceremoni që organizohet sot i bashkohet një aktiviteti global për Luftën e Parë Botërore, për të shprehur homazhet për viktimat si një sinjal kundër luftës dhe një Evrope të paqtë”, u shpreh Çuni.

Ceremonia u mbajt në të njëjtën orë me vendet e tjera të botës që i janë bashkuar kësaj nisme, si SHBA, Britania e Madhe, Greqia, Portugalia, Hungaria, Rumunia, Kosta Rika, Mali i Zi, Rusia, Kuba, Polonia, Serbia dhe Maqedonia.

Ulja e flamurit në gjysmështizë u shoqërua me ekzekutimin e veprës “Heshtja”, si një moment bashkimi dhe shprehjeje e përbashkët e homazhit për viktimat e Luftës së Parë Botërore.

Top Channel